Qeveria pro privatizimit të KEK-ut, PTK-së dhe Aeroportit

Prishtinë, 27 mars 2008 – Në mbledhjen e rregullt të qeverisë, kryeministri Hashim Thaçi ka thënë se Kosova duhet të ketë një konsolidim në sektorin e energjetikës, ndërsa ka bërë të ditur se, pas rekomandimeve të shumta, Qeveria ka ardhur në përfundim se duhet privatizuar tri kompanitë e mëdha publike: KEK, PTK dhe Aeroporti.

“Qeveria e Kosovës angazhohet për një ekonomi të hapur të mbështetur në zhvillim të një sektori të fuqishëm privat. Andaj, qeveria është e përkushtuar për investime të huaja dhe për këtë qëllim ne do të ndërmarrim hapat e duhur për zhvillimin e resurseve natyrore të Kosovës me anë të partneriteteve private”, tha kryeministri Thaçi.

Kjo, sipas tij, do të bëhet duke i privatizuar, apo duke i futur në procesin e favorshëm të koncesioneve disa nga asetet dhe ndërmarrjet e sektorit publik, duke filluar me KEK-un, PTK-në dhe Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës.

Thaçi u shpreh se qeveria që ai drejton është e përkushtuar që të gjitha projektet të implementohen në transparencë të plotë, dhe konkurrencë.

Kryeministri kosovar po ashtu ka thënë se, ekzekutivi do t’i ndërmarrë të gjitha masat për përmirësimin maksimal të gjendjes energjetike në vend në të mirë të qytetarëve të Kosovës.

ECIKS / Telegrafi