Prishtinë – Shpagimi i pronave në pjesën ku do të kalojë autostrada Merdar-Morin, mundësia e certifikimit të transportuesve të mallrave brenda vendit, si dhe planet e MTPT-së për modernizimin e hekurudhave të Kosovës ishin temat kryesore të takimit të mbajtur në mes të zëvendësministrit të Transportit dhe Telekomunikacionit, Adem Grabofci, dhe kryetarit të OEK-ut Besim Beqaj.
Grabofci me këtë rast ka bërë të ditur se Qeveria këtë vit ka vendosur të vërë në dispozicion fondin prej 50 milionë eurosh për shpronësimin e pronave në pjesën nga do të kalojë autostrada Merdar-Morin. Grabofci me këtë rast ka thënë se mjetet prej 50 milionë eurosh do të jenë në dispozicion për fazën fillestare, nëse vlerësohet që ka nevojë për përdorimin e tyre. Ai ka shtuar që MTPT-ja tani është duke konsideruar edhe mundësinë e ndërrimit të drejtimit të kësaj autostrade.
“Jemi duke e rishikuar edhe një herë projektin që është bërë nga një kompani gjermane, pasi që mendojmë që në këtë projekt ka mangësi të cilat duhen korrigjuar dhe pasi të korrigjohen, atëherë do të fillojmë zbatimin e projektit. Në rast se konsiderohet e arsyeshme do të bëhet edhe ndryshimi i drejtimit të autostradës dhe pas konsultimeve me ekspertë vendorë e ndërkombëtarë do të shihet se çfarë është e dobishme. Ne nuk hedhim poshtë asnjë variant, e cila shihet së është e dobishme dhe është në interes të vendit”, ka thënë Grabofci.
Sipas tij, kompensimi i pronave do të bëhet sipas çmimit të tregut. “Çështja e shpronësimeve që duhet të bëhen me rastin e ndërtimit të autostradës në pjesën e Kosovës, Morin-Merdar, është ngritur në Kuvendin e Kosovës dhe është aprovuar fakti që ky projekt të shpallet interes i veçantë”, ka thënë Grabofci.
Shuma e përgjithshme e ndërtimit të autostradës është vlerësuar se do të arrijë në 650 milionë euro. Me këtë rast Grabofci po ashtu ka thënë se transportuesit kosovarë të mallrave shpejt do të kenë mundësinë që certifikatat e transportit t’i marrin brenda vendit. Një mundësi e tillë pritet t’u lehtësojë dukshëm punën transportuesve të mallrave, të cilët certifikatat për kompetencat profesionale deri tani i kanë marrë jashtë shtetit. Sipas Grabofcit, dhënia e këtyre certifikatave në vend do të ndikojë edhe në zhvillimin ekonomik dhe rritjen e buxhetit të Kosovës.
Ai tha se gjatë vizitës që ka bërë së fundi në Turqi ka ngritur edhe çështjen e anëtarësimit të Ministrisë së Transportit në Organizatën Botërore të Transportit (IRU), dhe nënshkrimin e marrëveshjeve bilaterale për bashkëpunim në këtë fushë me shumë shtete fqinje, si me Turqinë, Greqinë, Maqedoninë dhe Kroacinë.
Ndërsa, Besim Beqaj, kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës, tha se i ka rekomanduar zëvendësministrit që në rend të parë të bëhen trajnime për transportues dhe manipulues të mallrave të rrezikshme si dhe për shoferët e autobusëve.
Ndryshe MTPT-ja tani është duke punuar edhe në hartimin e strategjisë për periudhën 2008-2011 në fushën e hekurudhave, në kuadër të së cilës parashihet projekti zhvillimor për modernizimin e hekurudhave të Kosovës. Sipas zëvendësministrit të MTPT-së, do të punohet që transporti hekurudhor të shtrihet si në Shqipëri po ashtu edhe në vendet e tjera të rajonit.
Marrur nga Koha Ditore