Prishtinë, 18 tetor 2005 – Nën udhëheqjen e kryeministrit Bajram Kosumi, Qeveria e Kosovës ka zhvilluar mbledhjen e saj të rregullt, të 171-ten, me radhë, në të cilën ka diskutuar për tenderin për operatorin e dytë të telefonisë mobile, menaxhimin e situatës në parandalimin e përhapjes së gripit të shpezëve në Kosovë, ka miratuar një projekt të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale që promovon punësimin e punëkërkuesve nëpër zyrat e punësimit, si dhe ka miratuar Projektligjin për Operën, Baletin dhe Filarmoninë e Kosovës.
Në një pikë të veçantë të rendit të ditës, Qeveria ka diskutuar sot edhe çështjen e tenderit për operatorin e dytë të telefonisë mobile në Kosovë. Pasi është analizuar rrjedha e deritashme e këtij tenderi, Qeveria ka vlerësuar se procesi i tenderit për operator të telefonisë mobile ka mbetur në fillim aty ku është stopuar dhe Qeveria është shprehur sot për zhbllokimin e këtij procesi. Këtë e ka bërë duke marrë parasysh edhe vlerësimet e mëhershme. Për të përfunduar këtë çështje, do të bëhet një rivlerësim i tenderit nga një kompani konsulente profesionale që do të përzgjidhet nga një tender i mbikëqyrur nga një trup që do të formojë Qeveria.
Në mbledhjen e sotme është diskutuar edhe për menaxhimin e situatës dhe të aktiviteteve për parandalimin e përhapjes së “Gripit të shpezëve” në Kosovë. Nga zëvendësministri në ministrinë e Bujqësisë Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, qeveria është informuar për aktivitetet që janë ndërmarrë deri tani. Është konstatuar se situata është plotësisht nën kontroll dhe se deri tani nuk është regjistruar asnjë rast i infektuar me këtë grip në Kosovë. Është vlerësuar se ekziston një gatishmëri e të gjitha institucioneve relevante për t’u mobilizuar në përballimin e të gjitha situatave potenciale që mund të shkaktohen nga përhapja e këtij virusi. Edhe Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se ka marrë masat mobilizuese në funksion të parandalimit të përhapjes së këtij virusi dhe ka formuar shtabet mobilizuese në të gjitha qendrat e Kosovës. Ndërsa gatishmëria është shprehur edhe nga institucionet tjera si TMK-ja, KFOR-i, SHPK-ja dhe UNMIK-u.
Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale ka prezantuar projektin me të cilin mundësohet angazhimi i fuqisë së pakualifikuar punëtore që është e regjistruar nëpër Zyrat e punësimit në pyllëzimin e sipërfaqeve të zhveshura në Kosovë. Sipas projektit parashihet që 309 hektarë të sipërfaqeve të zhveshura të pyllëzohen, dhe do të angazhohen 586 punëtorë për një afat prej 30 ditësh. Në realizimin e këtij projekti janë të përfshira Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Agjencia e Pyjeve të Kosovës, UNDP-ja dhe komunat e Kosovës. Projekti do të shtrihet gati në të gjitha komunat e Kosovës.
ECIKS / RTK