Vazhdon greva e punëtorëve të arsimit

Prishtinë, 19 tetor 2005 – Ka hyrë sot në ditën e 17-të greva e mësimdhënësve të arsimit, të cilët kërkojnë nivelimin e pagave. Zyrtarë të Sindikatës së Bashkuar të Arsimit dhe Shkencës, thanë sot në një konferencë për shtyp se greva po respektohet edhe më tutje nga shumica e institucioneve arsimore dhe se ajo nuk do të ndalet deri në realizimin e plotë të kërkesave të punëtorëve të arsimit.

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit Shkencës dhe Kulturës Ali Shabanaj tha se mbrëmë është mbajtur edhe një takim ndërmjet ministrit të Arsimit Agim Veliu dhe përfaqësuesve të SBASHK-ut por as nga ai takim nuk është gjetur një zgjidhje për ndaljen e grevës.

Kreu i sindikatës së arsimit tha se qeveria duhet të njoftojë qytetarët se ku kanë mbetur 7 milion euro të premtuara për nivelimin e pagave.

Kryetari i SBASHK-ut Ali Shabanaj tha se edhe sot greva e mësimdhënësve vazhdon të mbahet në mbi 90 për qind të institucioneve arsimore. Telegrame mbështetjeje për mësimdhënësit kosovarë sot kanë dërguar sindikata e SHPK-së, pastaj sindikata e arsimit e Holandës ajo e Maqedonisë dhe Shqipërisë.

ECIKS / RTK