Prishtinë, 28 janar 2004 – Qeveria e Kosovës nëpërmjet një njoftimi shpreh pakënaqësinë për veprimet e fundit të cilat vijnë nga AKM-ja. Forma në të cilën është bërë vizita për Nju Jork, lë për të dyshuar se qëllimi i vetëm i zyrtarëve të AKM-së është sigurimi i përkrahjes për vete dhe prezentimi i njëanshëm i gjendjes aktuale në lëmin e privatizimit. Qeveria thekson se vizita në fjalë duket se paraqet përpjekje për të manipuluar opinionin e vendimmarrësve të Kombeve të Bashkuara në lidhje me pengesat në të cilat po hasë procesi i privatizimit në Kosovë. Në të njejtën kohë, Qeveria konsideron se veprimet në fjalë shprehin mosbesimin e zyrtarëve të lartëpërmendur në autoritetin vendimmarrës së PSSP-së në Kosovë dhe frikën nga vendimet e tij në përputhje me provat, gjendjen e krijuar dhe alternativat më të favorshme për vazhdimin e mirëfilltë të procesit të privatizimit. Qeveria përkujton se me iniciativën e saj ka thirrë një varg takimesh me përfaqësuesit e Shtyllës së Katërt dhe të AKM-së, me qëllim të ballafaqimit të argumenteve dhe të shqyrtimit të mundësive për zgjidhjen sa më të favorshme të gjendjes së nderë. Fatkeqësisht, një gadishmëri e tillë nuk vërehet fare tek pala tjetër, ku znj. Fuçi dhe z. Lambsdorf sërish synojnë që qëndrimet dhe argumentet eventuale të tyre t’i prezentojnë pa praninë e palës e cila ka qëndrime dhe argumente të tjera, thuhet në komunikatën e Qeverisë, e cila nuk pret që zyrtarët e lartpërmendur të prezentojnë në Nju Jork lëshimet e tyre dhe pasojat e shkaktuara nga veprimeve e pamatura mirë dhe në kundërshtim me rregullat.
ECIKS/Balkanweb