Begatohet MTL-ja ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës

Prishtinë, 27 janar 2004 – Autoritetet e Shqipërisë dhe të Kosovës do të diskutojnë dy ditë radhazi në Prishtinë zgjerimin e Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës. Ky është edhe qëllimi i vizitës së ministrit të Ekonomisë së Shqipërisë, Anastas Anxheli në Kosovë. Gjatë një forumi të biznesit të organizuar nga Oda Ekonomike dhe Dhoma e Tregtisë së Shqipërisë, afaristët e dy vendeve do të diksutojnë më tepër detaje rreth aplikimit të tregtisë së lirë.

Ministri shqiptar i ekonomisë Anastas Anxheli fillimisht u takua me homologun kosovar, ministrin Ali Jakupi. Të dy ministrat kanë përgënjeshtruar mundësinë e ndryshimit të marrëveshjes për tregti të lirë.

“Nuk do të ketë ndryshim të marëveshjes, por, vetëm begatim të saj, janë shprehur ministrat pas takimit. Ministri Anxheli tha se zhvillimi ekonomik i të dy vendeve do të krijojë mundësi të reja për zhvillim, ndërsa që Kosovës do t’i krijonte lehtësira edhe në planin politik”.

Ali Jakupi ministër i Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës vizitën e delegacionit të lartë ekonomik të Shqipërisë e vlerësoi si shtytje në rritjen e bashkëpunimit ekonomik në mes dy vendeve. Ministri Jakupi tha se marrëveshja e tregitsë së lirë i ka hapur rrugën e bashkëpunimit institucional, ndërsa që takimet e ndësjella do të mundësojnë thellimin e bashkëpunimit.

Ministri shqiptar i Ekonomisë është takuar edhe me kryeministrin Bajram Rexhepi dhe po merrë pjesë në Forumin e Biznesit që po organizohet nga Oda Ekonomike dhe Dhoma e Tregtisë e Shqipërisë. Shqipëria është vendi i parë me të cilin Kosova ka nënshkruar marrëveshjen e Tregtisë së Lirë, e cila ka filluar të aplikohet nga 1 tetori i vitit të kaluar. Me anë të saj 50 për qind e mallrave që tregtohen ndërmjet dy vendeve nuk do të ngarkohen me taksë doganore.

ECIKS / RK