Tiranë, 27 janar 2004 – Në kuadër të marrëveshjes së nënshkruar në qershor të 2002-it midis FMN-së dhe qeverisë shqiptare, ky fond ka lëvruar një hua me vlerë qesharake për Shqipërinë. Kjo hua është 5.9 milionë dollarë, ndërkohë që qeveria shqiptare deri tani ka tërhequr 17.8 milionë dollarë, nga 41.5 milionë që është fondi total i i aprovuar për Shqipërinë. Bordi Ekzekutiv i FMN-së ka përfunduar fundjavën e kaluar rishikimin e tretë të ecurisë ekonomike të Shqipërisë dhe të poziconit financiar në kuadrin e programit të reduktimit të varfërisë dhe rritjes ekonomike (PRGF). Gjithashtu, u miratua dhe kërkesa e Shqipërisë për heqjen e një kriteri në lidhje me reformat strukturore, më 30 shtator të vitit të kaluar, që lidhej me masat për të rregulluar detyrimet e prapambetura të ndërmarrjeve të sektorit shtetëror. Ndërkohë, zëvendësdrejtori ekzekutiv i FMN-së dhe kryetari i saj i radhës Agustin Carstens u shpreh: “Ecuria e Shqipërisë gjatë gjysmës së parë të programit PRGF ka qenë përgjithësisht e kënaqshme, megjithatë vihen re vonesa në reformat strukturore. Deficitet në të ardhura vazhdojnë dhe mund të komprometojnë objektivat e programit”. Ai vazhdoi më tej duke theksuar se përmirësimi në mbledhjen e të ardhurave do të jetë një politikë prioritare që do të kërkojë jo vetëm përmirësime në administrimin dhe hartimin e politikës së taksave, por dhe veprime për të përmirësuar qeverisjen dhe klimën e biznesit, në mënyrë që të reduktohet madhësia e ekonomisë informale dhe të zgjerohet baza e taksave. Kështu, programi PRGF përmban masa të rëndësishme për administrimin e taksave, të cilat në rast se ndërmerren bashkarisht, pritet që të përmirësojnë eficensën, barazinë dhe volumin e taksave të mbledhura. “Megjithatë, suksesi do të kërkojë që autoritetet të marrin masa të forta edhe në çështje të tjera të qeverisjes, si reforma gjyqësore dhe forcimi i shtetit ligjor”, – u shpreh Carstens.
ECIKS / Biznesi