Angjeli: “Tregtia e lirë me Kosovën, prioritet i prioriteteve”

Prishtinë, 28 janar 2004 – Qeveria e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë janë zotuar të hënën se do të bëjnë implementimin dhe zgjerimin e MTL-së midis dy vendeve. Sipas kryeministrit Bajram Rexhepi dhe ministrit shqiptar të Ekonomisë, Anastas Angjeli, MTL është vetëm fillimi i bashkëpunimit mes dy vendeve. Përveç takimeve me personalitetet më të larta të Kosovës, ministri Angjeli mori pjesë në Forumin Ekonomik Shqipëri-Kosovë, i cila u organizua nga Oda Ekonomike e Kosovës dhe Dhoma e Tregtisë së Shqipërisë. Në këtë forum morën pjesë përfaqësuesit e 90 kompanive nga Shqipëria dhe qindra afaristë kosovarë. Qëllimi i organizimit të forumit është gjetja e rrugëve sa më të lehta për bashkëpunimin ekonomik midis biznesmenëve të dy vendeve dhe vënia e kontakteve të biznesmenëve.

“Forumi i Ekonomik do t’i japë një shtytje përpara përparimit të marrëdhënieve ekonomike midis dy vendeve dhe në të njëjtën kohë do t’u japë një shtytje projekteve dhe shkëmbimeve tregtare të infrastrukturës, tha ministri Angjeli. Sipas tij, prezenca e këtij takimi në nivel ministrash tregon edhe një herë përkushtim që dy qeveritë që i japin zhvillimit të marrëdhënieve të tregtisë dhe të biznesit.

“Qeveria e Shqipërisë ka nënshkruar MLT me të gjitha vendet e rajonit, por marrëveshja e nënshkruar me Kosovën është prioritet i prioriteteve. Përmes këtij forumi ne synojnë që të hapim më tej portën e bashkëpunimit ekonomik, tregtar, të lëvizjes së kapitalit dhe të vlerave dhe për të zhvilluar ekonominë e dy vendeve tona në pajtim me ekonominë e BE-së”, – tha Angjeli.

Sipas kreut të ekonomisë shqiptare, MTL që ka filluar të zbatohet në tetor të vitit të kaluar po dëshmon se ajo po zbatohet me sukses dhe është në interes të dy vendeve.

Deri më tani janë liberalizuar 85 për qind e produkteve bujqësore dhe 90 për qind e produkteve industriale.
Përfaqësuesit e qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë iu kanë premtuar afaristëve të dy vendeve se do të kenë mbështetjen e tyre për thellimin e bashkëpunimit.

Zgjerimi i MTL-së

Pas një takimi të kryeministrit Bajram Rexhepi me ministrin Anastas Angjeli u konfirmua se nuk do të ketë ndryshim të marrëveshjes së tregtisë së lirë (MTL) ndërmjet dy vendeve, por vetëm zgjerim dhe implementim të saj.

Kryeministri Rexhepi tha se kjo marrëveshje ka hapësirë të zgjerimit edhe me prodhime tjera dhe në atë drejtim do të punojnë ekspertët e të dy grupeve dhe do të bëjnë propozime që kjo marrëveshje të pasurohet.

Sipas tij, me marrëveshjen e tregtisë së lirë do të ketë një bashkëpunim më të mirë me Shqipërinë, duke llogaritur edhe projektet tjera përmes Paktit të Stabilitetit, që kanë të bëjnë me infrastrukturën. “Kemi shumë interesa strategjike të përbashkëta dhe mundësi për një bashkëpunim edhe më të ngushtë”, tha Rexhepi.

Kreu i ekonomisë së Shqipërisë tha se liberalizimi i tregtisë midis dy vendeve zhvillon jo vetëm marrëdhëniet tregtare, por edhe lëvizjen e kapitalit të vlerave dhe bashkëpunimin në fushën e investimeve.

Angjeli tha se për produktet të cilat i nevojitet ekonomive tona të liberalizohen, do të bëhen edhe negociata që të dy vendet të zhvillohen për integrimin në Bashkimin Evropian.

Ministri i Tregtisë, Ali Jakupi tha se vizita e homologut të tij shqiptar është një vazhdimësi e bashkëpunimit ekonomik të konkretizuar me tregtinë e lirë.

Sipas tij, MTL është një dokument që hap rrugët për një bashkëpunim të mëtejshëm midis dy vendeve. “Ne kemi bashkëpunim edhe në fushat e infrastrukturës, investimeve etj”.

Ai tha se qeveria e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë kanë harmoni në qëndrimet e tyre dhe posedojnë interesa të përbashkëta ekonomike.

Biznesmenët “nacionalistë”

Luan Bregasi, kryetar i Dhomës së Tregtisë së Shqipërisë, tha në Forumin Ekonomik se përfaqësuesit e 90 kompanive më të njohura të Shqipërisë që bashkëpunojnë me Kosovën, kanë ardhur për të vendosur kontaktet më të mira të bashkëpunimit dhe për të shikuar mundësinë e më shumë projekteve në Kosovë. Ai tha se një mundësi më tepër për afaristët shqiptarë është fillimi i procesit të privatizimit, në të cilin mund të kyçen biznesmenët nga Shqipëria.

“Këta biznesmenë nuk kanë ardhuar për të duartrokitur politikanët, ose pse janë nacionalistë, por kanë ardhur që midis Kosovës dhe Shqipërisë të vendosin më shumë hapësirë bashkëpunimi, sa më shumë për liri tregu midis dy vendeve tona”, tha Bregasi.

Ai tha se ka shumë kompani nga Shqipëria që punojnë në Kosovë. “Kosova është tregu i Shqipërisë, Shqipëria është tregu i Kosovës”, theksoi ai.

Historiku i MTL-së

Shqipëria është vendi i parë me të cilin Kosova ka nënshkruar marrëveshjen e rregtisë së lirë, e cila ka filluar të aplikohet nga 1 tetori i vitit të kaluar. Me anë të saj 50 për qind e mallrave që tregtohen ndërmjet, dy vendeve automatikisht nuk do të ngarkohen me taksë doganore.

Kjo marrëveshje parasheh liberalizimin e menjëhershëm të 50 për qind të mallrave të tregtuara ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë. Ndërsa në gjashtë vitet e ardhshme 90 për qind e tregut do të liberalizohet hap pas hapi.

Në tre muajt e fundit të vitit të kaluar këmbimet tregtare si rezultat i MTL-së, janë më tepër se 1,6 milionë euro, që është një shumë më e lartë në krahasim me periudhën e mëparshme kohore.

Pala shqiptare erdhi dje me propozimin për zgjerimin e tregtisë së lirë edhe me dhjetë produkte të reja siç janë birra, vaji i rafinuar, prodhime ushqimore (biskota etj), hekur, vezët, gozhdë dhe tela, tulla dhe tjegulla, kollë, çimento, pije alkoolike (verë, raki etj.) dhe një numër prodhimesh bujqësore.

“Këmbimet tregtare ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë janë intensifikuar si rezultat i MTL-së që po reflektohen edhe me furnizimin më të mirë të tregut me mallra dhe ulje të çmimeve”, ka thënë për “Biznesin” Mujë Gjonbalaj, këshilltar në Ministrinë e Tregtisë.

Sipas tij, produktet që po importohen nga Shqipëria janë kryesisht produkte bujqësore, të tekstilit, metalike dhe ndërtimore.

Delegacioni nga Shqipëria pritet që në orët e paraditës së sotme të tokohen me shefin e UNMIK-ut për ekonomi, Nikolas Lambsdorff.

ECIKS/Biznesi