Prishtinë, 9 nëntor 2004 – U publikua sot projekti zbatues i autostradës Prishtinë – Durrës, pjesa e Kosovës do të fillojë nga Merdari deri në Vërmicë e cila do të jetë 112 km. Autostrada parashihet të kushtojë prej 400-500 milionë euro dhe projektin zbatues do ta bëjë një kompani nga Gjemania, e cila pritet të përfundoj deri në tremujorin e parë të vitit 2005 dhe pastaj të shpallet tenderi për fillimin e ndërtimit të Autostradës.
Ndërtimi i autostradës Prishtinë-Durrës u vlerësua si projekt me karakter kombëtar. Ministri i Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit, Zef Morina, tha se ideja e ndërtimit të kësaj rruge ishte e kryetarit Ibrahim Rugova duke theksuar se të gjitha arritjet e deritanishme janë nën përkujdesjen e tij. Morina vlerësoi se ndërtimi i kësaj rruge do të jetë urë lidhëse e të dy vendeve: “Do të mundësojë lidhjen fizike ndërmjet shqiptarëve, por edhe do të lidhë Kosovën me Bregdetin Adriatik. Njëkohësisht do të mundësohet edhe qarkullimi i lirë i njerëzve dhe kapitalit, do të stimulohet zhvillimi i ekonomisë, turizmit si në Kosovë ashtu edhe Shqipëri. Rëndësi e veçantë i kushtohet në këtë projekt edhe lidhjes së Kosovës me Evropën Juglindore dhe me gjithë rajonin.
Projektin zbatues të autostradës Prishtinë-Durrës, i cili do të kushtojë rreth 500 milionë euro do ta bëjë kompania gjermane BPI, ndërsa punët e këtij projekti janë paraparë të përfundojnë në tremujorin e parë të vitit 2005, kur edhe do të shpallet tenderi për ndërtimin e autostradës e cila do të ketë 4 shirita rrugorë dhe dy tunele.