Tiranë, 10 nëntor 2004 – Hekurudhat shqiptare do të marrin formën e një ndërmarrje publike me pavarësi të plotë ekonomike dhe do të funksionojnë në bazë të dispozitave për shoqëritë anonime. Ndryshimin për statusin e hekurudhave shqiptare e ka miratuar dje në punimet e tij komisioni parlamentar i Ekonomisë. Përveç kësaj, në projektligjin e ri që është paraqitur dje në Kuvend për veprimtarinë e ndërmarrjes së hekurudhave ka pasur dhe ndryshime të tjera. Hekurudha shqiptare në bazë të këtij ligji merr përsipër administrimin e gjithë infrastrukturës hekurudhore dhe shteti e ngarkon hekurudhën në detyrën e realizimit të investimeve për rinovimin dhe modernizimin e infrastrukturës hekurudhore. Me anë të një organizimi të ri kërkohet që të realizohen baza të reja në marrëdhëniet e ekonomisë së tregut në shërbimin e transportit hekurudhor. Sipas kodit hekurudhor që u miratua dje në parim në komisionin parlamentar të Ligjeve, trualli, traseja dhe elemente përbërës të vijës hekurudhore si dhe elemente të tjerë të cilët ndihmojnë në transportin hekurudhor janë në pronësi të shtetit. Duke vlerësuar peshën dhe perspektivën e veprimtarisë private, kodi i ri hekurudhor parashikon që në transportin e mallrave dhe të udhëtarëve të futen edhe transportues të tjerë privatë. Por, përveç rregullimeve të përgjithshme juridike është patur kujdes që të mos krijohen pengesa për veprimtarinë e lirë private dhe për specifikën e veprimtarisë hekurudhore. Në kodin e ri hekurudhor parashikohet një kontroll i rreptë teknik për mjetet që qarkullojnë mbi shina si dhe përsa i përket infrastrukturës hekurudhore. Në këtë mënyrë ky rregullim i ligjit për këtë lloj transporti sjell më shumë siguri në transportin hekurudhor duke shmangur edhe rreziqet e ndryshme.