Korporata e Postë-Telekomit, sipas planifikimeve që ka bërë Qeveria në largim, më së largu deri në shtator të këtij viti duhet të kalojë në duart e pronarëve të rinj. Kjo korporatë e cila është nxjerrë në shitje në mesin e vitit të kaluar pritet të shitet për një shumë që shkon ndërmjet 300 milionë deri në 600 milionë euro.
“Privatizimi i PTK-së planifikohet të mbarojë në çerekun e tretë të vitit”, kanë thënë zyrtarë nga Njësia për Privatizim të PTK-së, e cila operon në kuadër të Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave. Zyrtarët e kësaj ministrie nuk kanë pasur përgjigje për sa i përket asaj se a do të jenë pjesë e buxhetit të këtij viti apo vitit të ardhshëm paratë e fituara nga shitja e aseteve të Postë-Telekomit. Sipas atyre ajo që dihet është se Qeveria do t’i ketë në dorë brenda këtij viti paratë nga shitja e PTK-së. “Fondet nga privatizimi i PTK-së sipas planifikimeve të bëra do të jenë të disponueshme vitin kur do të përfundojë privatizimi”, është thënë.
Pesë korporata të huaja të telefonisë janë në listë të ngushtë për blerjen e 75 për qind të aksioneve në dy njësitë e biznesit të PTK-së, “Vala” dhe “Telekom”. Në njësinë e biznesit “Posta e Kosovës”, Qeveria e Kosovës do t’i mbajë 100 për qind të aksioneve. Paratë e grumbulluara nga shitja e korporatës së Postë-Telekomit janë planifikuar nga qeveritarët që të shpenzohen për t’i paguar faturat e “Bechtel-Enkas”, kontraktuesit të autostradës, e cila pritet të kushtojë mbi 700 milionë euro.
Privatizimi i PTK-së do ta largonte monopolin shtetëror në fushën e telekomunikacionit si dhe do të kontribuonte në krijimin e konkurrencës në treg. Me hyrjen e operatorëve tjerë të telefonisë mobile vite më parë, çmimet kanë rënë në formë drastike kurse kualiteti dhe llojshmëria e shërbimeve janë rritur.
ECIKS / Koha