PTK-ja privatizohet gjatë vitit 2012

Posta dhe Telekomi i Kosovës shumë shpejt pritet të jetë në pazar. Qeveria parasheh që shitja e korporatës më profitabile në vend të ndodhë brenda vitit të ardhshëm, shkruan Koha Ditore.

Të hyrat nga privatizimi i PTK-së kanë zënë vend në Projektbuxhetin e vitit 2012. Ato kapin vlerën 300 milionë euro. Ndonëse në Projektbuxhet nuk specifikohen që janë nga privatizimi i PTK-së, ato klasifikohen si të hyra të njëhershme.

Nëj këshilltar i lartë i ministrit të Zhvillimit Ekonomik, ka konfirmuar se në agjendën e re është paraparë që gjatë vitit 2012 do të bëhet nënshkrimi i kontratës për privatizimin e PTK-së.

Më tutje u tha se agjenda e re e cila parashikon të gjithë hapat dhe procedurat që do të ndiqen në procesin e privatizimit të PTK-së është hartuar. Kjo agjendë pritet të miratohet në Komitetin e Privatizimit të PTK-së dhe pastaj të fillojnë me procesin e privatizimit.