PTK investon 17 milionë euro për telefoninë fikse

Prishtinë, 14 prill 2004 – Agjencia Kosovare e Mirëbesimit (AKM) ka miratuar projektin e modernizimit të sistemeve komutuese të telefonisë fikse. Projekti kap vlerën 17 milionë euro dhe parashikohet të fillojë në qershor të këtij viti me shpalljen e tenderit ndërkombëtar.
Sipas zyrës për media në PTK, projekti parashikon zëvendësimin e centraleve të telefonisë fikse që kanë teknologji të vjetëruar me teknologji të re. Projekti planifikohet të përfundojë në mesin e vitit 2005.
Ai përfshin zëvendësimin e 65 centraleve telefonike në 58 vendbanime, si në Prizren, Pejë, Mitrovicë, Gjakovë, Ferizaj dhe Gjilan. Këto centrale përfshijnë 110.000 linja, ndërlidhje të konsumatorëve ekzistues, si dhe ndërlidhje të 20.000 konsumatorëve të rinj në rrjetin telefonik vendor dhe ndërkombëtar.

Zyrtarët e PTK-së thanë se modernizimi i sistemeve komutuese është një ndër projektet më të rëndësishme zhvillimore të telefonise fikse, i cili do t’i sjellë përparësi të shumta PTK-së dhe konsumatorëve të saj në aspektin e cilësisë së shërbimeve ekzistuese, ofrimin e shërbimeve të reja, si dhe mundësisë së zgjerimit të rrjetit në vendbanime në të cilat nuk ka infrastrukturë të telefonisë fikse.

Sipas Balës, përparësi të tjera janë edhe rritja e të hyrave me ngritjen e kualitetit të shërbimeve, përmbushja e detyrimeve legale, ngritja e shkallës së arkëtimit përmes aplikimit të listave të detajuara të thirrjeve, ulja e shpenzimeve operacionale vjetore, etj.

Projekti thuhet se është rezultat i bashkëpunimit ndërmjet ekspertëve të PTK-së dhe AKM -së në përgatitjen e dokumentit të justifikimit të projektit.

Miratimi i këtij projekti së bashku me projektin për rrjetin lokal kabllor të Prishtinës dhe projektin e unazës optike rrit shumën e gjithëmbarshme të projekteve të miratuara për vitin 2004 dhe 2005 në 30 milionë euro, që paraqesin investimet më të mëdha në infrastrukturën e telefonisë fikse që prej përfundimit të luftës.

ECIKS/Biznesi