Ndryshime në kreun e KEK-ut dhe PTK-së

Prishtinë, 13 prill 2004 – Kompanitë publike në Kosovë si Korporata Elektroenergjetike dhe PTK-ja, të cilat menaxhohen nga UNMIK-u, konsiderohen ndër dështimet më të mëdha të administratës ndërkombëtare në Kosovë në 5 vitet e fundit. Në KEK janë investuar rreth 1 miliard euro, ndërsa vendi ende ballafaqohet me reduktime të energjisë, në PTK qarkullimi ditor është 1 milionë euro, mirëpo deri më tani asnjë cent nga këto të ardhura nuk është derdhur në arkën e Kosovës. Për këto mjete dinë vetën disa ndërkombëtarë dhe një pjesë e vogël e personelit kosovar. Qeveria e Kosovës vazhdimisht kundërshton menaxhimin e këtyre ndërmarrjeve nga UNMIK-u dhe kërkon transparencë për shpenzimin e mjeteve. UNMIK për të përmirësuar marrëdhëniet me qeverinë vendore, ka vendosur që t\’i flijojë menaxherët e deritanishëm të KEK-ut dhe PTK-së. Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) që nga java e kaluar drejtohet nga Piet Fallingit. Ndërkohë që kompania tjetër publike, Postë Telekomi i Kosovës pas dy javësh do të drejtohet nga Gevin Xhefri, i cili është zgjedhur drejtor i ri përgjithshëm. Muajin e shkuar, UNMIK-u, në bashkëpunim me qeverinë e Kosovës morën vendim për shkarkimin e Çarls Braunit, i cili është kritikuar si jokooperues me institucionet vendore, dhe zgjodhën Pit Fajllingun menaxher të ri në KEK. Shkarkimi i Braunit dhe zgjedhja e Fajllingut në krye të KEK-ut, u bë me insistimin e qeverisë, si dhe donatorëve më të mëdhenj që veprojnë në Kosovë pas shtyrjes së procesit të zgjedhjes së drejtuesit të ri në këtë korporatë. Kurse edhe ndërrimet në PTK, burime të gazetës thotë se kanë ardhur si rezultat i insistimit të qeverisë së Kosovës dhe donatorëve të mëdhenj.

Qeveria kundërshton shpërblimin e menaxherëve të dështuar
UNMIK-u, sipas burimeve të “Biznesit”, ka tentuar që Çarls Braunin ta bëjë drejtor të ri në PTK, mirëpo kjo ide është hedhur poshtë nga Qeveria e Kosovës dhe donatorët. Drejtori i ri në KEK, Pit Fajlling, i shkolluar për inxhinieri dhe menaxhim biznesi, sjell me vete më shumë se 30 vjet përvojë në sektorin e energjisë elektrike në Afrikën e Jugut dhe në Nigeri. Ai shërbeu në Bordin e Drejtorëve të ESKOM-it në Afrikën Jugore (furnizuesi i 5-të sipas madhësisë në botë), pastaj ka menaxhuar Korporatën e Energjisë në Afrikën e Jugut dhe e ka transformuar konglomeratin e energjisë në Nigeri. Detyra e tij në KEK është drejtimi i ndërmarrjes derisa të zgjedhet me konkurs një kompania menaxhuese ndërkombëtare. Pit Fajlling deri më tani ka drejtuar Grupin për Energjetikë, që është një organ i përzier me përfaqësues vendorë dhe ndërkombëtarë, që japin rekomandime për sektorin energjetik. Zyrtarë të qeverisë thonë se Fajlling është kooperues edhe me institucionet e vendit, ndryshe nga Çarls Brauni dhe menaxherët e mëparshëm të KEK-ut, të cilët e kanë injoruar qeverinë.

Pit Fajlling do ta ushtrojë postin e drejtorit të përgjithshëm në KEK përkohësisht, derisa të zgjedhet menaxhmenti i ri i KEK-ut, proces ky i cili ndonëse ishte paraparë të përfundojë në këtë muaj, për shkak të mosmarrëveshjeve UNMIK-AKM dhe qeveri rreth procesit të privatizimit, ka pësuar shtyrje edhe për një kohë.

Ndërrimet në PTK
Në anën tjetër, ndërrimet në udhëheqjen e PTK-së do të bëhen pas dy javësh. Azdren Rrahmani, zëdhënës në PTK, tha dje se drejtori i ri në PTK, Gevin Xhefri, do ta fillojë punën e re me datën 19 të këtij muaji dhe se deri në këtë datë këtë kompani do të vazhdojë ta drejtojë ushtruesi aktual i detyrës së drejtorit të përgjithshëm, Erik MekKinllej. Ky i fundit është akuzuar se është përzier në disa afera korrupsioni në PTK. Ai është kritikuar si jokooperues me institucionet e Kosovës. MekKinllej është përfshirë në aferën e nënshkrimit të kontratës midis “Monaco Telecomit” dhe PTK-së për shfrytëzimin e kodit telefonik të këtij shteti. Kjo aferë asnjëherë nuk është zbardhur deri në fund dhe dyshohet se në të janë shkelur interesat e Kosovës dhe kompanisë për interesa personale. Fotografia e MekKinllejt ishte botuar verën e kaluar në faqet e para të gazetave për një aferë tjetër midis PTK-së dhe kompanisë norvegjeze “Norway Invest”. Menaxherët e kësaj të fundit e patën akuzuar atë për shkelje të kontratave.

Vendimi për ndërrimin e drejtorit të përgjithshëm në PTK erdhi vetëm pak ditë pas ndërrimeve të imponuara në kreun e KEK-ut.

Procedura e përzgjedhjes së drejtorit të PTK-së, sipas UNMIK-ut, ka filluar në fund të vitit 2003, kur AKM-ja angazhoi firma profesionale për të ndihmuar në gjetjen e kandidatit më të përshtatshëm, gjë e cila është praktikë standarde për kompanitë e telekomeve. Sipas AKM-së, fillimisht për këtë post aplikuan shtatë kandidatë me kualifikim të cilësisë së lartë. Nga këta kandidatë AKM-ja zgjodhi britanezin Gevin Xhefri, i cili ka përvojë të gjatë ndërkombëtare, siç thuhet, në themelimin dhe transformimin e veprimtarive të telekomit nga kompanitë e përqendruara në punët teknike tek ato të përqendruara në punët me konsumatorë. Drejtori i ri i përgjithshëm i PTK-së ka më shumë se 20 vjet përvojë udhëheqëse në vendet në zhvillim. Ai ka punuar në pozitën si drejtor menaxhues në kompaninë për komunikime kabllore dhe pa tela, saktësisht në degët e kompanisë “Sonera” dhe kohët e fundit në pozitën drejtor menaxhues i komunikacionit pa tela “Afgan”, i cili është operatori i parë GMS në Afganistan. PTK-ja ishte pa menaxher të zgjedhur që nga koha e pezullimit të Leme Xhemes nga posti i drejtoreshës së përgjithshme. Ish-drejtoresha është pezulluar për shkak të dyshimit për korrupsion, mirëpo njësiti italian i hetimeve për krime ekonomike, Guardia Di Finanza nuk ka arritur që ta dëshmojë fajësinë e saj. Pas largimit të Xhemës, në vendin e ushtruesit të detyrës së drejtorit të PTK-së, AKM-ja zgjodhi Erik MekKinllei. PTK-ja është ndërmarrja më fitimprurëse në Kosovë, por që ka kontribuar më pak në buxhetin vendor. Destinimi i fitimeve të saj mbetet mister më vete.

Informacionet jozyrtare flasin për një fitim neto të PTK-së gjatë vitit të shkuar në shumë rreth 140 milionë euro.

ECIKS / Biznesi