Prishtinë, 13 prill 2004 – Me qëllim stimulimin e biznesit dhe agrobiznesit kosovar duhet të shikohet mundësia e ndërrimit të politikës fiskale, e veçanërisht ulja e normës doganore nga 10 për qind në 2 apo 0 për qind. Kjo është kërkesa kryesore e komunitetit të biznesit.
Mustafë Hasani, drejtor i Administratës Tatimore, tha për media se është formuar një ekip i brendshëm i Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave për shqyrtimin e politikës fiskale në Kosovë, të cilët janë duke shikuar sugjerimet e biznesmenëve për mundësinë e uljes së normës doganore. Hasani tha se nuk mund të bëhet ndryshimi i politikës fiskale në tërësi, por do të ndryshohen disa prej kërkesave më të rëndësishme të biznesmenëve kryesisht në zvogëlimin e normës doganore për importin e mallrave kapitale, mjeteve themelore dhe pajisjeve.
Ai tha se gjithashtu do të shqyrtohet mundësia e krijimit të disa benificione për sektorin e agrokulturës. “Këto janë dy pikat kryesore që ministria po përgatitet me ekipin e vet që të bisedojë me Këshillin Ekonomik Fiskal”, – tha ai.
Në Kosovë nuk ekzistojnë masa stimulative për biznesin fillestar, siç i aplikojnë vendet në rajon dhe shtetet në tranzicion. Mallrat, veçanërisht ato të sektorit të prodhimit janë tepër të ngarkuara me taksa dhe kanë mundësi më të vogla të jenë konkurrente me mallrat e vendeve të rajonit. Prodhuesit e vegjël dhe eksportuesit e mundshëm kanë vështirësi në fillimin e prodhimit pasi janë të detyruar që në kufirin e Kosovës, të paguajnë me para në dorë 26.5 për qind të çmimit të importit të makinerisë që përdoret për themelimin e kapaciteteve prodhuese ose shërbyese.
Edhe Aleanca Kosovare për Agrokulturë ka kërkuar që prodhimet kosovare të jenë të barabarta me prodhimet e importuara. Për t\’u arritur kjo duhet të hiqet dogana për lëndën e parë dhe repromaterialin që përdoret për prodhimtari brenda Kosovës.
Aktualisht në Kosovë aplikohen taksa doganore, e cila është 10 për qind, TVSH 15 për qind, dhe tatimi i paragjykuar për bizneset e vogla 3 për qind.
Ulja e taksës doganore, që është kërkesë kryesore e komunitetit të biznesit, do të krijonte një boshllëk eventual në buxhetin e Kosovës.
Ekspertët vlerësojnë se heqja e doganës për lëndën e parë dhe makinat që importohen për themelimin e kapaciteteve prodhuesve zvogëlojnë të hyrat në arkën e Kosovës prej 30-50 milionë euro në vit.
Sipas tyre, kjo do të mund të mbulohej nga rritja e potencialit ekonomik brenda vendit, sepse forcimi i bizneseve nënkupton edhe rritje të fuqisë së tatimpaguesve të brendshëm, me çka do të evitohej deficiti financiar.
ECIKS / Biznesi