Propozimi i Qeverisë zvarrit pa afat shpalljen e tenderit të telefonisë

Qeveria e Kosovës nuk përfill rekomandimet e kompanisë konsulente, të cilën e kishte angazhuar vetë për 250 mijë euro

Arsim Bilalli, Koha Ditore

Prishtinë, 4 tetor 2006 – Ashtu siç bëri edhe herën e kaluar me tenderin për licencë të dytë të telefonisë mobile, Qeveria e Kosovës sërish po zvarrit rishpalljen e tenderit.

Këtë herë “pengesë” e Qeverisë janë dy modelet e propozuara për tenderin e telefonisë, çmimi fiks dhe ankandi. As në mbledhjen e fundit Qeveria nuk ka arritur që të marrë asnjë vendim rreth asaj se çfarë modeli do të aplikohet në këtë tender, ai i propozuar nga kompania konsulente, të cilën e ka angazhuar vetë Qeveria, me çmim fiks, apo propozimi që ka bërë ministri Ahmeti, që çmimi të jetë kriter për zgjedhjen e fituesit.

Në prag të finalizimit të pakos tenderuese nga ana e kompanisë konsulente ndërkombëtare “AB Stela Con” nga Suedia, kabineti i kryeministrit Agim Ceku ka propozuar që të bëhen ndryshime në pakon tenderuese për këtë tender.

Në fillim ishte bërë e ditur se një model të këtij tenderi, aplikimin e metodës së ankandit, e kishte propozuar vetë kreu i Ministrisë së Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit, ndërkohë që më pas është përmendur emri i këshilltarit të kryeministrit, Viktor Ulaj që kishte ngulur këmbë për të njëjtin model. Nga ana tjetër, ministra të tjerë në Qeverinë e Kosovës kanë iniciuar idenë se si pikë reference për vlerësimin e ofertave të përdoret çmimi fiks i propozuar nga kompania konsulente dhe jo ankandi për çmimin më të lartë për licencë. Për propozimin e parë është thënë se me këtë model do të mund të përfitonte buxheti i Kosovës dhe të zgjidhej kompania më serioze mobile.

Viktor Ulaj, i kontaktuar nga gazeta, nuk ka dashur që të komentonte për këtë çështje. “Ulpiana e ka transmetuar sot qëndrimin e Qeverisë, kaq”, është shprehur shkurt, këshilltari i kryeministrit, Viktor Ulaj.

Zëdhënësja e Qeverisë së Kosovës ka bërë të ditur se ekzekutivi i vendit e ka ngritur çështjen e telefonisë mobile në mbledhjen e së mërkurës, mirëpo një vendim pritet në mbledhjen e ardhshme të Qeverisë. “Kryeministri është i bindur se çdo zgjedhje dhe zgjidhje për operatorin e dytë të telefonisë mobile duhet të ruajë balancën mes mbrojtjes së interesave të konsumatorit, nga një anë dhe vlerësimit real të potencialit të tregut”, ka deklaruar Ulpiana Lama.

Ajo ka shtuar se procesi në fjalë, duhet të jetë transparent. “Kjo do të thotë se ky proces të mos lërë hapësirë për vlerësime subjektive dhe të kontestueshme, të kontribuojë në buxhetin e Kosovës dhe të ofrojë shërbime më të mira e më të lira për konsumatorin”, ka thënë Lama, duke sqaruar se Qeveria e Kosovës kërkon një model sa më të mirë të tenderit të telefonisë mobile, i cili do t’i harmonizojë të gjithë këto parime.

Një burim i gazetës ka bërë të ditur se të gjithë anëtarët e Komisionit Mbikëqyrës dhe kompania konsulente “Ab Stela Con”, kanë rënë dakord që të përdoret metoda “Beauty Contest”.

“Qeveria edhe pse ka paguar 250 mijë euro për kompaninë konsulente, prapëseprapë nuk i përfill rekomandimet e saj. Kjo tregon se sërish kompania e angazhuar nga jashtë mbetet vetëm dekor, ndërkaq me procesin e tenderit vendos dikush tjetër”, ka thënë burimi I gazetës.

Zëdhënësi i MTPT-së ka mohuar faktin se këto propozime do të ndikojnë në stagnimin e procesit të shpalljes së tenderit. “Nuk është çështja te vonesa, por ne jemi duke bërë përpjekje që të zgjedhim modelin më të mirë dhe absolutisht nuk bëhet fjalë për zvarritje, sepse deri javën e ardhshme do të vendoset diçka në këtë drejtim”, ka theksuar Shefki Ukaj.

Nga ana e tij, Ekrem Lluka, i cili kishte fituar tenderin e dytë të telefonisë mobile me kompaninë “Mobikos/Mobitel” në vitin 2004, me metodën “Beauty Contest”, ka thënë se në rast se Qeveria vendos për modelin e ankandit, atëherë definitivisht, do të eleminohen të gjitha kompanitë vendore. “Metoda e ankandit, i favorizon kompanitë ndërkombëtare duke ua pamundësuar konkurrimin vendorëve”, është shprehur biznesmeni kosovar, Ekrem Lluka.

Ndërkohë, metodën e ankandit në telefoninë mobile deri më tash e kanë përdorur disa shtete, ku kanë arkëtuar miliona euro në emër të licencës së fituar. Sa për ilustrim, Shqipëria me ankand ka fituar 30,7 milionë euro, Maqedonia 22,5 milionë euro, Bullgaria 10,8 milionë euro, Greqia, 20 milionë euro, Rumania 40,3 milionë euro, Sllovenia 23 milionë euro, Çekia 27 milionë euro, Kroacia 26 milionë euro, etj.

Qeveria e Kosovës kishte parashikuar në mars të këtij viti se zhbllokimi i monopolit të “Valës 900” në Kosovë mund të pritet brenda gjashtë muajsh, mirëpo mosmarrëveshjet e Qeverisë për modelin më të përshtatshëm të tenderit, tregon se pas dhjetë apo më shumë muajve vonesë mund të pritet operatori i dytë mobil në vend.

Koha Ditore