Gazeta Elefterotipija shkruan se kompania shtetërore greke, DEI, në bashkëpunim me një kompani amerikane, e afërt me familjen e Presidentit Bush (ContourGlobal), po përgatiten për ta blerë një minierë të thëngjillit në Kosovë.
Prishtinë, 5 tetor2006 — Ndërmarrja shtetërore greke Elektroekonomia DEI, po përgatitet me muaj të tërë që përmes një “mbështetje të madhe politike” ta blejë minierën e thëngjillit në Kosovë.
Kështu ka shkruar në numrin e të dielës gazeta greke Eelefterotipija, e cituar nga agjencia serbe e lajmeve Beta.
Sipas të njëjtës gazetë, firma amerikane “ContourGlobal” në këtë biznes është financuesi kryesor politik i kompanisë greke DEI.
“Kjo kompani përveç ndikimit të madh ekonomik ka edhe ndikim të rëndësishëm gjeopolitik, thonë jozyrtarisht zyrtarët më të lartë të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Greqisë dhe të asaj për Zhvillim Ekonomik”, shkruan Elefterotipija.
Edhe përkundër këtij shkrimi të kësaj gazete vlen të theksohet për momentin në Kosovë nuk shitet asnjë minierë e thëngjillit. E vetmja gjë që pritet të dal në tender është ndërtimi i Termocentralit Kosova C, e që në kuadër të këtij kompleksi është edhe ndërtimi i minierës së thëngjillit. Ky projekt do të jepet nga autoritetet tona me koncesion në një kundërvlerë prej rreth 2 miliardë euro. Një projekt tjetër që është në zhvillim e sipër është edhe ndërtimi i minierës së thëngjillit në Sibofc. Ana procedurale për hapjen e kësaj miniere tashmë ka nisur. Se për cilin projekt flet gazeta greke mbetet të shihet, por qartazi as ata nuk e kanë shumë të saktë informacionin.
Sipas Eelefterotipisë firma amerikane “ContourGlobal” është e themeluar para një viti, dhe e selia e saj është në New York dhe në Hjuston.
“Shumica e njerëzve që e përbëjnë njerëz prej rrethit politiko – ekonomik të familjes së presidentit George Bush”. Figura kryesore e këtij grupi është John Tsigounis, shef personal i George Bushit të vjetër gjatë kohës sa ky ka qenë President. Tsigounis, shkruan gazeta, ka lidhje të afërta edhe me familjen e ish Kryeministrit grek Konstantin Micotakis. Në rast se kjo iniciativë do të ketë sukses, DEI dhe “ContourGlobal” do të bëheshin partner të minierës së thëngjillit me nga 45 për qind, ndërsa 10 për qind do t’i takonin Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe Bankës Botërore, shkruan gazeta greke.
Kapitali fillestar i këtij konzorciumi do të sillej në mes 700 dhe 800 milionë eurove. Gazeta shkruan se shtresat e thëngjillit në Kosovë do të munden të furnizonin termocentralet me fuqi të përgjithshme prej 5 mijë megavat, që atje (këtu) do të ndërtohen.
Rreth kësaj çështje ka përplasje në mes të firmave të mëdha evropiane të sektorit të energjetikës, kurse Bashkimi Evropian, shkruan gazeta greke, ka një rol “të garantuesit të procedurave, sepse nivel institucional praktikisht nuk ka.
Gazeta Express