Një rrugë për dy arsye

Tiranë, 30 shtator 2006 – Pa ndonjë publicitet të veçantë e madje me një vëmendje anësore, shtypi njoftoi se Qeveria ka përmbyllur të gjitha procedurat për ndërtimin e Rrugës Durrës – Kukës – Morinë, në gjithë gjatësinë e saj dhe mbi të gjitha e sipas të gjitha gjasave, me punime të kryera brenda vitit 2009. Pra thënë ndryshe dhe sipas projektit të paraqitur disa muaj më parë, në vitin 2009, Shqiptarët e Kosovës dhe ata të Shqipërisë do të shkojnë nga Tirana në Prishtinë dhe anasjelltas për jo më shumë se sa 3 orë, nëpër një rrugë që është në gjithë gjatësinë e saj autostradë dhe me standarde nga më të lartat. Padyshim një arritje e madhe dhe një vepër madhore. Një vepër nga ato që mbesin dhe që kanë një rëndësi jetike dhe afatgjatë për vendin. Është për t’u përshëndetur pra më së fundi, zhbllokimi i këtij problemi kyç për dy vendet, gjetja e financimit, kalimi i pengesave absurde, të pajustifikueshme dhe krejt gjeopolitike të Bankës Botërore, kryerja e procedurave të shpejta dhe mbi të gjitha, kontraktimi me një ndër firmat ndërtuese më të mëdha dhe më cilësore në botë. Por nisja e punimeve të premtuara shumë herë për këtë rrugë dhe shpresa se më së fundi ajo u zgjidh, nuk duhet parë në një kënd, në atë thjeshtë politik. Ka së paku dy rrafshe që mund të gjykohet ajo dhe askush nuk mund të thotë se njëri është më shumë apo më pak i rëndësishëm se sa tjetri.

Së pari, ndërtimi i Rrugës Durrës – Kukës – Morinë është padyshim një vendim i rëndësishëm politik dhe një investim strategjik. Ajo bashkon dhe krijon një njësi mes shqiptarëve të ndarë për më shumë se 95 vjet për arsye politike, por edhe gjeografike. Shembja e barrierave që vinin nga vendimet politike që e kishin lënë Kosovën jashtë Shqipërisë më 1999, nuk ishte shoqëruar ende me këtë tjetrën. Një investim serioz që të kalonte barrierat gjeografike, terrenin e thyer dhe rrugët e këqija, për të realizuar një bashkim faktit mes dy vendeve. Ajo do të shndërrohet shumë shpejt në aksin qendror të hapësirës shqiptare dhe do të sjellë një drejtim tjetër të zhvillimit të dy vendeve, pavarësisht vendimeve politike që do të marrë Kosova si pasojë e statusit. Por fatkeqësisht, deri më sot, Rruga e Kosovës është parë thjeshtë si një rrugë patriotike dhe vetëm kaq. Ajo është promovuar si e tillë dhe fatkeqësisht është penguar nga shumë institucione ndërkombëtare pikërisht për këtë arsye: pra sepse është parë thjeshtë si një rrugë e bashkimit të Shqiptarëve në dy anët e kufirit. Ajo është realisht e tillë, dhe fare mirë mund të mbajë emrin Rruga e Bashkimit apo Rruga Patriotike, por njëkohësisht është shumë më tepër se kaq.

Së dyti, ajo është një rrugë që zgjeron tejet tregun ekonomik të Shqipërisë dhe Kosovës; është një rrugë që stimulon turizmin veror drejt Shqipërisë dhe atë dimëror drejt Kosovës, që i jep një pozitë tejet të privilegjuar për zhvillimin e biznesit portit të Durrësit dhe gjithë Kosovës si rrugë komunikimi dhe transiti. Ndërtimi i kësaj rrugë modifikon lëvizjen e mallrave nga bregdeti i Adriatikut në thellësi të Ballkanit dhe jo vetëm në komunikimin mes Shqiptarëve. Për të sjellë një shembull fare të thjeshtë mund t’i referohesh turizmit në Shqipëri dhe bumit që mund të ketë ai. Jo vetëm në verë, por mbi të gjitha në dimër, plazhet shqiptare do të kenë një dyndje turistësh nga Kosova. Me një ndryshim temperature prej afro 10 gradësh më pak, kosovarët mund të kalojnë ditë pushimi në plazhet e Durrësit në dimër, me diell dhe kohë të ngrohtë, ndërkohë që tre orë më tej, në Kosovë mund të jetë ngricë dhe akull. Kjo do t’i japi një tjetër bum ndërtimit dhe shitjes së banesave e rezidencave në plazh si dhe komplekseve e rezorteve turistike.

Pra, rruga Durrës – Kukës – Morinë dhe lajmi për ndërtimin e saj brenda 3 vitesh, nuk duhet parë thjeshtë si një investim patriotik dhe strategjik, por edhe si një korridor për unifikimin e tregut dhe zgjerimin e atij shqiptar apo kosovar. Një zgjidhje që do t’i japë tjetër frymëmarrje ekonomive anemike të të dy vendeve.

Blendi Fevziu
(Gazeta Express)