Projekti i parë ambicioz

Prishtinë, 18 gusht 2006 – Projekti i Ministrisë së Energjetikës dhe Minierave për investime të reja në energjetikë konsiderohet nga ekspertët kosovarë si tejet ambicioz. Reagimet e tyre vinë një ditë pasi që MEM ka bërë publike shprehjen e interesit për tërheqjen e investitorëve strategjikë për zhvillimin e sektorit të energjisë në Kosovë.

Sipas Musa Limanit, ekspert i energjetikës, ndërtimi i termocentraleve është shumë i rëndësishëm, por nuk duhet bërë investime të tepërta që të furnizojmë tërë rajonin me energji elektrike.

“Më e rëndësishmja është se nëse investohet më tepër se nevojat tona atëherë duhet të dihet se ku do të shkojë ajo energji, por jo vetëm kjo, duhet të dihen dhe të bëhen të qarta edhe shumë gjëra tjera. Ne ende nuk e dimë se cili do të jetë interesi ynë që do t’ia japim atë tokë ndonjë investitori privat”, ka deklaruar Limani.

Në anën tjetër pos plotësimit të nevojave të konsumit kosovar projektuesit mendojnë se me këtë projekt do të ketë edhe zhvillim ekonomik të Kosovës, pasi që do të krijohen kushtet për eksport të energjisë dhe do të rritet punësimi në rajonet afër termocentralit të ri.

Ministri i Energjisë dhe Minierave, Ethem Çeku, ka deklaruar se projekti për investime në sektorin e energjisë do ta shndërrojë Kosovën në një faktor të rëndësishëm të fushës energjetike në Evropën Juglindore dhe do ta bëjë atë faktor stabiliteti.

“Furnizimi i mjaftueshëm me linjit për të përmbushur nevojat e të gjitha blloqeve të të gjitha termocentraleve dhe nevoja për thëngjill për termocentralin e ri me një zgjatje prej 40 vitesh tregon faktin se Kosova është e pasur me linjit dhe ofron kosto të ulët të prodhimeve të thëngjillit, gjë që bënë të gjitha centralet elektrike të saj konkurruese në tregun energjetik”, tha Çeku. Sipas tij Kosova me resurset që ka do të kontribuojë në furnizimin e konsumit të brendshëm dhe po ashtu do të shndërrohet në një eksportues të energjisë elektrike.

Ndërsa në anën tjetër edhe Bedri Hamza, ekspert i ekonomisë dhe drejtues i Departamentit të Ekonomisë dhe Financave në kabinetin e qeverisjes së mirë të PDK konsideron se mungesa e transparencës dhe mos dhënës së mundësisë së dhënës së kontributit edhe nga ana e ekspertëve të tjerë ka bërë që projekti i MEM të ketë shumë të meta.

Sipas tij ende nuk dihet se në çfarë baze ligjore MEM ka parapa futjen e investimeve private në energjetikë. Veç kësaj edhe mungesa e transparencës është njëra ndër çështjet që kanë përcjellë këtë projekt të MEM dhe qeverisë aktuale që nga fillimi deri tani.

“Ekziston arsyeshmëri e madhe për ndërtimin e kapaciteteve të reja energjetike për nevojat kosovare. Mirëpo, duhet shikuar edhe strategjitë rajonale, sepse ne ndërtojmë termocentrale me kapacitete të larta mirëpo edhe vendet e rajonit kanë strategji për ndërtimin e hidrocentraleve dhe me kosto edhe më të ultë të prodhimit dhe atë herë ku do ta shesim ne rrymën që do ta prodhojmë me një kosto shumë më të lartë”, ka deklaruar Hamza.

Edhe nëse nuk ndodh kjo, sipas tij, Kosova nuk e tejkalon krizën energjetike, sepse kompania e cila do të prodhojë energjinë elektrike do t’ia shesë atë Kosovës dhe nëse gjen treg për një çmim më të lartë prapë se prapë Kosova do të ngelet në terr.

Ministria e Energjetikës dhe Minierave ka publikuar shprehjen e interesit për tërheqjen e investitorëve strategjikë për zhvillimin e sektorit të energjisë në Kosovë. Projekti i investimit në fushën energjisë përbëhet nga tri komponente, duke përfshirë ndërtimin e një termocentralit të ri Kosova C, hapjen e mihjes së re të linjitit në Sibofc dhe rehabilitimin e pesë blloqeve të termocentralit Kosova A.

Komiteti gjatë periudhës tremujore, do të shikojë kushtet e investitorëve të interesuar dhe do të hartojë një listë të shkurtër të investitorëve potencialë të fushës së energjisë.

Ndërsa shpallja e ofertuesve të parakualifikuar do të bëhet në tremujorin e parë të vitit 2007.

MJETET QË DUHET TË INVESTOHEN
– Ndërtimi i termocentralit Kosova C 2.7 miliardë euro
– Hapja e mihjes së re 237.5 milionë euro
– Rindërtimi i bllokut A1, kostoja prej 9.45 milionë euro
– Rehabilitimi i bllokut A2 nuk është përfshirë në studim
– Rindërtimi i bllokut A3, kostoja prej 24.4 milionë euro
– Rindërtimi i bllokut A4, kostoja 60.3 milionë euro
– Rindërtimi i Bllokut A5, kostoja 60.3 milionë euro

Gazeta Express