Projekt i ri amerikan për nxitjen e eksporteve

Tiranë, 7 Nëntor 2003 – Përfaqesuesit e projektit të ri amerikan për Zhvillimin e Ndërmarrjeve dhe Tregjeve të Eksportit (EDEM) prezantuan dje objektivat që synojnë të arrijnë nëpërmjet zbatimit të këtij programi. Projekti EDEM, i financuar nga USAID me rreth 6,5 milion USD, do të ndihmojë në zhvillimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme kryesisht bujqësore dhe agropërpunuese, për të rritur potencialet e tyre konkurruese të prodhimit dhe nxitur eksportet.

Tom Rulland, drejtor i projektit EDEM në Shqipëri, u shpreh në këtë takim, se përmes asistencës teknike dhe mbështetjes që do të ofrohet për biznesin vendas, pritet të përmirësohet cilësia e produkteve dhe të zgjerohet tregu i eksporteve. Ky projekt i specializuar për nxitjen e eksporteve, do të zbatohet për tre vjet në bashkëpunim me disa nga kompani të tjera të fushës së bujqësisë dhe agropërpunimit. Sipas specialistëve të bujqësisë, niveli i eksporteve është përsëri i ulët dhe deficiti tregtar është thelluar, megjithëse në vend ekzistojnë disa institucione që merren me eksportet, por deri tani planet konkrete për rritjen e tyre janë të pakta.

ECIKS / KORRIERI