Negociatat Shqipëri-BE: diskutohen Bujqësia dhe Peshkimi

DURRËS, 07 NËNTOR 2003 – Dje në Durrës, në kuadër të negociatave me Bashkimin Evropian, delegacioni shqiptar i kryesuar nga zëvëndëskryeministrja dhe ministre e Integrimit Europian, Ermelinda Meksi dhe ai i BE, i kryesuar nga Reinhard Priebbe, shqyrtuan listën e produkteve bujqësore dhe të peshkimit, të cilat duhet të liberalizohen në kuadër të Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit.

Kryenegociatorja e palës shqiptare, Ermelinda Meksi, pasi përshëndeti pjesëmarrësit në takim, si dhe vlerësoi kontributin e BE-së për Shqipërinë tha se, në këtë takim të raundit të tretë të negociatave do të shqyrtohen nenet 24-31 të kapitullit “Bujqësia dhe peshkimi” me komentet dhe propozimet përkatëse.

Kryenegociatori i BE, Priebe, vlerësoi angazhimin e qeverisë shqiptare në negociata. Më pas takimi, që po zhvillohet në mjediset e hotel “Adriatiku” në Durrës vazhdoi pa praninë e gazetarëve, duke trajtuar sipas axhendës së parashikuar për “Bujqësinë dhe peshkimin”, anekset e përgatitura mbi argumente për produktet përkatëse, analizën mbi ndikimin financiar në buxhet, si rrjedhojë e liberalizimit të parashikuar nga zbatimi i angazhimeve të marra.

ECIKS / Balkanweb