TIRANË, 06 NËNTOR 2003 – Shqiptarët vuajnë deri në 14 orë kufizime, sepse rreth 35 për qind e energjisë humbet në rrjet gjatë transmetimit. Edhe pse situata hidrike është përmirësuar ndjeshëm gjatë këtij viti, Instituti i Statistikave (INSTAT) deklaron se mbi 56 për qind e energjisë elektrike që prodhohet në vend shkon dëm për shkak të amortizimit në rrjet. Kështu, nëse Korporata Elektroenergjitike nuk do të humbte 35 për qind të furnizimit, 56 për qind të prodhimit, si dhe 29 për qind të energjisë që shpërndan, Shqipëria nuk do të vuante nga kufizimet e energjisë elektrike. Sipas bilancit të energjisë elektrike për tremujorin e tetë të këtij viti, gjatë 9 muajve të parë niveli i humbjeve në rrjet është rritur me rreth 22.5 për qind në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Shifrat tregojnë qartë se konsumatori shqiptar vuan nga kufizimet e energjisë elektrike, të njëjtën gjë e konfirmon edhe INSTAT-i, sipas këtij institucioni prodhimi në vend është rritur, por furnizimi me energji elektrike është ulur me rreth 1.8 për qind.
Humbjet në rrjet
“Humbjet në rrjet për 3-mujorin e tretë 2003 përbëjnë 35 për qind të furnizimit gjithsej ose 56 për qind të prodhimit në vend gjatë kësaj periudhe. Po ashtu humbjet në shpërndarje rezultuan rreth 29 për qind më të larta se një vit më parë ose 13 për qind se 6 -mujori i parë i këtij viti”, citohet në raportin e INSTAT-it. Ndërkohë INSTAT-i si 9 -mujor niveli i humbjeve në rrjet është 22.5 për qind më i lartë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar.
Furnizimi me energji
INSTAT edhe pse deklaron se prodhimi i energjisë ka pësuar një rritje të konsiderueshme, nga ana tjetër evidenton se furnizimi me energji elektrike në 3-mujorin e tretë 2003 ka shënuar rënie me 1.8 për qind në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, duke mbetur edhe nën nivelin e dy tremujorëve të mëparshëm. Ulja e furnizimit me energji elektrike do të thotë më pak orë me drita për konsumatorin shqiptar. “Çdo muaj është furnizuar mesatarisht 419.9 milionë kilovat orë energji elektrike dhe çdo ditë konsumatorët janë furnizuar mesatarisht me rreth 13.7 milionë kilovat orë energji elektrike”, deklaron INSTAT. Sipas këtij institucioni rritja e prodhimit në vend ka mbuluar vetëm 62.6 për qind të furnizimit tremujor.
Konsumi i energjisë
“Edhe pse prodhimi në vend është rritur ndjeshëm dhe situata hidrike është përmirësuar, kufizimet në furnizimin ritmik të përdoruesve vazhdojnë të jenë prezente. Krahas problemeve me sistemin e transmetim -shpërndarjes mbeten më problematike zonat me nivel arkëtimi më të ulët ku kufizimet variojnë nga 2 deri 14 orë në ditë”, -pohojnë specialistët e INSTAT-it. Sipas tyre, përdorimi në vend i energjisë elektrike gjatë 3 muajve të fundit rezulton në rritje, krahasuar me 6 muajt e parë të vitit. “Konsumatorët familjarë janë ata që përdorin më shumë energjinë elektrike, ndërkohë që përdoruesit e tjerë regjistruan rënie”, citohet në bilancin e energjisë të bërë nga INSTAT-i. Sipas statistikave, konsumi i energjisë nga familjet është rreth 10.6 për qind më i lartë në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Çdo muaj familjet shqiptare kanë konsumuar mesatarisht rreth 169.5 milionë kilovat orë ose 5.5 milionë kilovat orë në ditë, nga 5.2 milionë kilovat orë në vitin e kaluar.
Prodhimi dhe importi i energjisë
Importi është ulur ndjeshëm gjatë 3 muajve të fundit, ndërsa prodhimi në vend është rritur. Si rezultat i rritjes së prurjeve të lumenjve gjatë 3 muajve të fundit u prodhua rreth 34.8 për qind më shumë energji elektrike se një vit më parë. Prodhimi në hidrocentrale rezultoi 35 për qind më i lartë se e njëjta periudhë e një viti më parë, duke mbuluar 97.4 për qind të prodhimit tremujor në vend. Ndërkohë që importi i energjisë elektrike (përfshirë këmbimet) është reduktuar në nivele të ulëta, rreth 32 për qind më pak se e njëjta periudhë e vitit të kaluar. Gjendja e mirë e rezervave ujore në hidrocentrale ka bërë që nevojat e konsumatorëve të plotësohen përgjithësisht nga prodhimi vendas, pohojnë pranë INSTAT. Sipas specialistëve për mbulimin e nevojave në vend si 9 -mujor u importuan 708 milionë kilovat orë, e barabartë kjo me 2.8 milionë kilovat orë në ditë nga 6.2 milionë kilovat orë në ditë në vitin 2002.
ECIKS / Shekulli