Rugova: Të subvencionohen prodhuesit bujqësorë kosovarë

PRISHTINË, 05 NËNTOR 2003 – Kryetari i Kosovës Ibrahim Rugova, priti një delegacion të Aleancës Kosovare të Biznesit, i cili ka filluar një fushatë të gjerë për afirmimin e prodhimeve vendore dhe për sigurimin e përkrahjes së institucioneve të Kosovës për ndryshime sistemore që do të ndihmojnë shtimin e prodhimit vendor.

Pas takimit, kryetari Rugova shprehu mbështetje të plotë për zhvillimin e bujqësisë dhe për shtimin e prodhimit vendor. Ai theksoi se institucionet duhet të japin subvencione për prodhuesit bujqësorë të Kosovës. Institucionet e Kosovës duhet ta trajtojnë si çështje prioritare shtimin e prodhimit vendor, duke ndihmuar në forma të ndryshme kompanitë prodhuese, si edhe duke penguar konkurrencën jolojale në tregun kosovar-tha kryetari Rugova.

Kryetari i Asociacionit të Biznesit Kosovar, Agim Shahini u shpreh i kënaqur me rezultatet e para të “Javës së Biznesit Kosovar” që u mbajt javën e kaluar. Ai theksoi se kjo fushatë, e cila synon afirmimin e prodhimeve vendore dhe identifikimin e problemeve e vështirësive të prodhuesve do të vazhdojë gjatë tërë vitit.

ECIKS / RTK