Produktet kosovare eksportohen si mallra maqedonase

Prishtinë, 14 shtator 2004 – Nexhat Hasani, drejtor i Shoqatës së Eksportuesve të Kosovës, tha se produktet kosovare po eksportohen në mënyrë indirekte në vende të tjera, sepse në Kosovë nuk ka masa stimuluese për nxitjen e eksportit dhe ekzitojnë pengesa burokratike që po e pamundësojnë eksportin.

Ai tha se ka pasur mjaft kërkesa nga Kroacia që patatet kosovare të eksportohen atje, mirëpo problemet lidhur me certifikatat e origjinës së mallrave të lëshuara nga UNMIK-ut po pengojnë eksportimin e mallrave kosovare në tregjet e jashtme. “Këtë rast e kanë shfrytëzuar maqedonasit, të cilët patatet tona që prodhohen në rrafshin e Dukagjinit i kanë marrë dhe i kanë eksportuar për Kroaci si mallra të tyre”, tha ai. Ai tha se dy çështjet kyçe të cilat pengojnë eksportin në Kosovë janë politika fiskale joadekuate për prodhuesit vendorë dhe politikat diskriminuese të vendeve të rajonit. Sipas Hasanit, nëpër disa takime që kanë pasur me Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë (MTI) dhe me Ministrinë e Ekonomisë dhe Financave (MEF) kanë kërkuar që për ato kompani të cilat kanë mundësi të eksportojnë jashtë vendit, mallrat e tyre të çlirohen nga TVSH-ja si dhe nga pjesa e tatimifitimit. “Në çdo vend në botë eksporti stimulohet dhe duhet të stimulohet dhe të përkrahet edhe te ne”, tha ai. “Pa eksport nuk mund të kemi as zhvillim ekonomik, sepse vendi është i zhvilluar dhe ka potenciale të mëdha për të eksportuar”, tha ai.

Drejtori i Shoqatës së Eksportuesve tha se tregtimin e mallrave kosovare në tregjet e jashtme po e pengon Serbia, duke i kërcënuar vendet e rajonit që të mos bëjnë tregti me Kosovën.

Ekonomistët kosovarë vlerësojnë se nuk mund të ketë një ekonomi të qëndrueshme derisa Kosova importin me eksport e mbulon me vetëm 3.5 për qind, ku përfshihet eksporti i disa perimeve të konservuara, disa prodhime lëngjesh, gypash dhe pak prodhime të drurit.

Për një ekonomi të qëndrueshme importi me eksport duhet të mbulohet së paku në nivelin 40 për qind.

ECIKS / Biznesi