Prishtinë, 15 shtator 2004 – Projekti për nivelimin e pagave të 65 mijë punëtorëve në sektorin publik, që është hartuar nga qeveria, pritet të aplikohet me unifikimin e të dhënave të përgjithshme në një softwer, tha Bahri Hyseni, sekretar i përhershëm në Ministrinë e Shërbimeve Publike.
Çështja e nivelimit të pagave muaj më parë është ngritur në qeveri dhe është përkrahur në parim, por është lënë mundësia që të bëhen disa modifikime. Pas një pune relativish të gjatë të grupit këshillues për këtë çështje, në bashkëpunim me Departamentin e Shërbimit Civil, është hartuar projekti përfundimtar për nivelizimin e pagave apo gradimin e pagave, i cili pritet të aplikohet. Sipas Hysenit, deri tani nuk është aplikuar ky projekt, sepse komisioni i formuar nga MSHP-ja ka pasur për qëllim që të kontrollojë të gjitha të dhënat lidhur me përshkrimin e detyrave dhe titujve të punës që janë dorëzuar nga institucionet e ndryshme. Në të gjitha institucionet kosovare, duke filluar nga ministritë, komunat, pa i përjashtuar as departamentet të cilat janë të rezervuara, por që paguhen nga buxheti i Kosovës, janë kontrolluar detyrat dhe titujt e të punësuarve. “Ne jemi në përfundim të projektit final dhe gjatë kësaj jave do të mbahet takimi i grupit këshillues ku do të shikohet projekti final apo harmonizimi i këtij ligji dhe më pas me futjen e të dhënave në një softwer, që është fituar nga një kompani private, do të fillohet me zbatim”, tha Hyseni. Sipas Hysenit, ky projektligj është konform të gjitha niveleve të gradimit dhe u përgjigjet modeleve të shteteve më të zhvilluara europiane.
Sipas këtij projekti të ri, të gjithë shërbyesit civilë do të ndahen në 3 nivele, secili me nga katër kategori të gradimeve. Stafi mbështetës mund të lëvizë prej shkallës së parë deri në të katërtën, pavarësisht nga përvoja, përgatitja profesionale dhe ndërlikueshmëria e vendit të punës. Projekti për nivelimin e pagave në sektorin publik përfshin edhe pagat e sekretarëve të përhershëm, gjykatësve dhe prokurorëve.
Zyrtarët nga MSHP thonë se përparësi e projektit janë shtesat për punëtorët të cilët punojnë jashtë orarit të punës si dhe mëditjet nëse angazhohen në ndonjë komision jashtë orarit të punës, të cilat deri tani nuk kanë ekzistuar. Pasi të bëhet nivelimi i pagave, pagat do të unifikohen dhe secili punëtor publik do të paguhet njësoj për punën e njëjtë. Ky kriter do të vlejë edhe për punën jashtë orarit të përcaktuar.
ECIKS / Biznesi