Vjenë, 9 mars 2009 (ECIKS) – Kompania Kolm Pfluger, nga regjioni i Austrisë së Ulët, që merret me konservimin e perimeve, po hyn në vitin e dytë të bashkëpunimit me partnerin kosovar Etlinger nga Shtimja. “Po funksionon! Jam i befasuar për të mirë”, thotë shefi i kompanisë Peter Pfluger për të përditshmen ekonomike austriake Wirtschaftsblatt. Mirëpo, pa gjenerator të rrymës nuk funksionon asgjë, pasi që në Kosovë ka ndërprerje të shpeshta disaorëshe të rrymës.
Në vitin 2008 Pfluger i kishte furnizuar rreth 30 bujq kosovarë me farë të specave, fafaronëve dhe trangujve. Ata kultivuan këto perime, Pfluger i bleu dhe i konservoi në vend nëpër shishe të qelqta. Kështu u prodhuan 60 mijë konserva të qelqta me fafaronë, 50 mijë me speca, 20 mijë me tranguj, dhe u eksportuan për në Austri. Ky projekt u përkrah edhe nga Agjencia Austriake për Zhvillim, fillimisht me 33 mijë euro. Halla e deritashme e prodhimit, që ishte marrë me qira, tash do të zëvendësohet me një ndërtesë të re, në të cilën Pfluger do të investojë rreth 100 mijë euro. “Në Kosovë moti është më i mirë se tek ne dhe vera zgjatë më shumë. Aty ka mundësi të vjelet tri herë në vit, përderisa tek ne maksimalisht dy herë”, thotë Pfluger.
Paragjykimet ndaj produkteve ushqimore nga ky regjion, ndërmarrësi Pfluger i ka rrëzuar me cilësi të produkteve. Farërat, melmesat dhe know-how vijnë gjithnjë nga Austria.
Prej vitit 2007 ne vitin 2008 qarkullimi i kësaj ndërmarrje është ngritur nga 1,6 në 2 milionë euro. Gjysma e prodhimit bëhet në Austri, një e katërta në Kosovë dhe pjesa tjetër në Çeki e Sllovaki.
Ky projekt investues në Kosovë është realizuar përmes Zyrës në Vjenë të Agjencisë për Promovimin e Investimeve të Kosovës, qe implementohet nga ECIKS.
Wirtschaftsblatt