Shala: Jemi të përgatitur për krizën

Ministri i Ekonomisë dhe Financave, Ahmet Shala, tha të shtunën se kriza financiare globale do të ketë ndikim edhe në Kosovë, mirëpo sipas tij, Qeveria e vendit është e përgatitur dhe do të marrë masa nëse paraqitet nevoja.

“Ne me kujdes do të trajtojmë çdo lëvizje. Janë përgatitur edhe masa të caktuara nëse fillojnë të vërehen devijime. Masa e parë është që ne kemi paraparë një fond rezervë prej 200 milionë euro”, tha Shala, në një konferencë për gazetarë, raporton KosovaLive.

Ministri pohoi se masë tjetër është edhe ulja e taksave në Kosovë. Sipas tij, shumë shtete masat e sipërpërmendura i kanë marrë vetëm pasi ka ndodhur kriza, ndërsa në Kosovë, sipas tij, këto masa janë marrë para se të ndodhë kriza.

Për raportin e Fondit Monetar Ndërkombëtar që parasheh rritje ekonomike për Kosovën prej 3.8%, ose 2.2% më pak se parashikimet e qeverisë, ministri Shala theksoi se roli i FMN-së është gjithnjë të jetë konservativ ndaj parashikimeve të zhvillimeve ekonomike të një vendi apo edhe atyre globale.

Ai tha se për vitin e kaluar FMN-ja kishte paraparë rritje prej 6.1% për shtetin e Kosovës, ndërsa MEF në bashkëpunim me partnerët tjerë dhe këshilltarët ndërkombëtarë kishte paraparë 5.2%.

Sipas tij, nga këto parashikime ka dalë që MEF-i kishte të drejtë prandaj konsiderojnë se kalkulimet e tyre sërish do të dalin të sakta.

Megjithatë, Shala u shpreh se me kujdes do të trajtojnë çdo lëvizje dhe se janë përgatitur masa të caktuara nëse fillojnë të vërehen devijime. Ai theksoi se kriza ekonomike do të ketë ndikime edhe në Kosovë, mirëpo sipas tij, performancat e shtetit të Kosovës deri më tani janë konform planifikimeve të tyre, përveç disa zvogëlimeve siç tha ai në eksport.

Gazeta Express