Privatizimi shkakton pakënaqësitë e para

PRISHTINË, 17 KORRIK 2003 – Shpallja e pardjeshme e fituesve të përkohshëm të tenderëve për grupin e parë të ndërmarrjeve kosovare ka ngjallur në Kosovë reagime të llojllojshme. BSPK-ja ka kritikuar procesin e vlerësimit të këtyre ndërmarrjeve si “qesharak” dhe “joligjor” dhe ka kërkuar mbajtjen e mbledhjes urgjente të Qeverisë së Kosovës me qëllim të anulimit të shitjeve të bëra. Për BSPK-në indikativ ka qenë në veçanti rasti i eliminimit të punëtorëve të “Montazhës”, për arsye se oferta e tyre ishte vetëm për rreth 1000 euro më e ulët se e blerësit me shifrën P 08. Drejtori aktual i “Montazhës” ka deklaruar për mediat kosovare se nëse nuk do të anulohet blerja, ai do të ankohet edhe në Gjykatën Supreme të Kosovës.

Përfaqësues të Odës Ekonomike të Kosovës kanë vlerësuar si të rëndësishëm privatizimin e ndërmarrjeve të para edhe përkundër faktit se vlerat për të cilat janë shitur këto ndërmarrje kanë qenë mjaft të ulëta. Por, përparësia qëndron në faktin se këto ndërmarrje janë blerë nga vet shqiptarët dhe që kapacitetet e prodhimit vendor janë ruajtur, vlerësojnë më tutje përfaqësuesit e OEK-ut.

Procesi i privatizimit në Kosovë ka filluar kohë më parë, pas shumë vështirësive juridike që ishin paraqitur në periudhën e pasluftës. Për privatizimin e gjashtë ndërmarrjeve të para në Kosovë kanë konkurruar gjithsejt 22 blerës të interesuar. Nga shitja e këtyre ndërmarrjeve AKM-ja ka realizuar të hyra në vlerë prej 4,6 milionë euro.

ECIKS (K.D.)