Privatizimi: 6 ndërmarrjet e para shiten për 4,5 milion Euro

PRISHTINË – Dje në Prishtinë, Agjencia Kosovare e Mirëbesimit (AKM) bëri shpalljen publike të 22 ofertave që ishin bërë për privatizimin e 6 ndërmarrjeve shoqërore kosovare. Në hapjen e ceremonisë morën pjesë përfaqësues nga AKM-ja, Qeveria e Kosovës, UNMIK-u, Banka Botërore, etj.

“Ky është një moment historik për zhvillimin e ekonomisë
kosovare”,- tha zëvendësdrejtori i AKM-së, Ahmet Shala, i cili më pastaj shtoi se AKM-ja ka bërë çmos që procesi i privatizimit të jetë korrekt dhe i ndershëm.

Në grupin e parë të ndërmarrjeve shoqërore për privatizim ishin Fabrika e tullave “Ringov” nga Peja, Fabrika e tullave “Përparimi” në Skënderaj, Fabrika e gëlqeres “Lepenci” në Kaçanik, “Termosistemi” në Rahovec, Fabrika për prodhimin e siguresave “Energoinvest” në Prishtinë dhe Ndërmarrja ndërtimore “Montazhi” poashtu në Prishtinë.

Të gjitha këto ndërmarrje u shitën për 4.634.624 euro, kurse më së shtrenjti u shit Fabrika e tullave në Skënderaj për 2.298.749, kurse më së liri “Termosistemi” në Rahovec për 200.000 euro. Fabrika e tullave “Ringov” në Pejë nuk pati asnjë ofertë. Blerësit e fabrikave të para në Kosovë janë kompani vendore dhe shqiptare.”Përparimi” është blerë nga një kompani nga Shqipëria, “Energoinvesti” nga dy kompani kosovare “Arda” dhe “Meridian”,”Termosistemi” nga vetë punëtorët e saj, “Lepenci” do të jetë jozyrtarisht pronë e një kompanie kosovare, kurse për fabrikën “Ringov” do të shqyrtohet mundësia e ripërsëritjes së tenderit.

ECIKS/BalkanWeb