Hapen ofertat për gjashtë ndërmarrjet e para që do të privatizohen
PRISHTINË, 15 KORRIK 2003- Investitorët që duan ti blejnë gjashtë ndërmarrjet e para shoqërore që privatizohen, ofertat është dashur t’ia dorëzojnë Agjencisë Kosovare të Mirëbesimit të hënën, dje.
“Ofertat pranohen nga AKM-ja duke filluar nga ora 12:00 deri në orën 17:00. Ato pranohen në selinë kryesore të AKM-së, ndërtesa e gjelbër `Duhani’, në rrugën ‘Vellusha’ dhe zyra e AKM-së në Mitrovicë”, thuhej në një njoftim të AKM-së.
Dita e djeshme shënohet si dita e parë kur edhe praktikisht në Kosovë fillon një tregti e madhe, shitja e gjashtë ndërmarrjeve të para shoqërore në Kosovë. Në fakt, fillon procesi për të cilin kaherë kanë shpresuar kosovarët, të bindur se përmes transformimit pronësor do të nxitet edhe zhvillimi ekonomik i Kosovës.
Në grupin e parë të nermarrjeve shoqërore që do të privatizohen janë fabrika e tullave “Ringov” në Pejë, fabrika e tullave “Përparimi” në Skënderaj, fabrika e gëlqeres “Lepenci” në Kaçanik, impianti ngrirës “Termosistemi” në Rahovec, prodhuesi i siguresave “Energoinvest” në Prishtinë, së bashku me njësinë për montim dhe “Montazhi” në Prishtinë, e cila merret me ndërtimtari dhe inxhiniering.
Secili ofertues kur dorëzon ofertën e tij duhet t’u përmbahet rregullave të tenderit. Ata duhet të dorëzojnë një zarf të mbyllur, i cili duhet të përmbajë emrin dhe mundësitë e kontaktimit, deklaratën se është i kualifkueshëm, kopjen e vërtetuar të pasaportës ose formës së regjistrimit të biznesit, një letër të nënshkruar, ku thuhet se ofertuesi i pranon rregullat e tenderit dhe kushtet e ofertimit, letrën bankare, vërtetimin mbi pagesën e tarifës së dorëzimit të ofertës 300 euro, si dhe vërtetimin mbi pagesën e depozitit të ofertës 2500 euro, që duhet të paguhen në BPK. Çmimi i ofertës do të jetë në një zarf të mbyllur. Po këtë ditë, dje, në orën 19:00 në selinë e UNMIK-ut në auditoriumin kryesor është bërë hapja e ofertave për ndërmarrjet e lartpërmendura.
ECIKS / Koha Ditore