Prishtinë: 'Trafiku Urban' para falimentimit

Prishtinë, 13 korrik 2004 – Kryetari i Kuvendit Komunal të Prishtinës, Ismet Beqiri tha sot se Komuna do të vazhdojë të angazhohet për krijimin e një rregulli gjatë transportit të udhëtarëve nëpër kryeqytet. Duke folur para punëtorëve të Ndërrmarrjes Publike Komunale, “Trafiku Urban”, Beqiri ka thënë se mungesa e ligjeve dhe përkrahja jo e mjaftueshme e SHPK-së kanë ngushtuar hapësirën për veprim të Komunës lidhur me këtë çështje. Ndërmarrja publike komunale Trafiku Urban është duke punuar me humbje si pasojë e veprimit të mbi 600 kombibusëve nëpër rrugët e kryeqytetit. Drejtori i kësaj ndërmarrje, Latif Xhemajli ka kërkuar sot nga udhëheqja e Kuvendit Komunal të Prishtinës që të ndërmerr ndonjë hap i cili do ta parandalonte falimentimin e ndërrmarjes. Por kryetari, Ismet Beqiri ka thënë se mungesa e një ligji përkatës dhe përkrahja jo e mjaftueshme e policisë e kanë ngushtuar hapsirën për veprim të Komunës. Drejtori i ndërmarrjes, “Trafiku Urban”, Latif Xhemajli ka thënë ndërkaq se veprimi ilegal i kombibusëve nëpër kryeqytet ka bërë që ndërmarrja publike të punojë me humbje. E tërë kjo ka thënë ai është si pasojë e mosaplikimit të një vendimi të Komunës që do ta zvogëlonte numrin e kombibusëve. Kryetari Beqiri premtoi se rregullorja do të filloj të aplikohet në muajt e ardhshëm. Sipas kësaj rregullorje nëpër kryeqytet do të mund të qarkullojnë 150 deri në 200 kombibusë. Ndërmarrja Publike Komunal, “Trafiku Urban” ka 174 punëtorë të cilët marrin paga të ulëta pasi ndërmarja është në kushte tepër të rënda financiare.

ECIKS / RTKLive