Tiranë, 13 korrik 2004 – Rritja e depozitave në sistemin bankar dhe rënia e investimeve në tregun e letrave me vlerë të emetuara për herë të parë ka shkaktuar një tepricë likuiditeti gjatë tremujorit të parë të këtij viti. Të dhënat zyrtare të Bankës së Shqipërisë bëjnë të ditur faktin se për shkak të situatës së krijuar gjatë muajve janar-mars të këtij viti, institucioni qëndror i politikave monetare ka tërhequr 1.9 miliardë lekë nëpërmjet marrëveshjes së riblerjes me maturim njëmujor. Përveç kësaj BSH ka shitur 4.5 miliardë lekë në bono thesari në vlerë nominale, ose 4.4 miliardë lekë e llogaritur me çmim blerjeje dhe njëkohësisht ka ndërhyrë duke përdorur instrumentin kryesor të tregut në vlerë mesatare prej 3.4 miliardë lekësh. Përsa i përket tërheqjes më shumë prej 1.9 miliardë lekë, Banka e Shqipërisë e ka realizuar duke nxjerrë në ankand marrëveshjet e riblerjes me maturim njëmujor, ndërsa bonot e thesarit janë shitur me të drejta të plota. Përveç këtyrë ndërhyrjeve nëpërmjet veprimeve në treg të hapur, BSH ka përdorur edhe instrumente të tjerë në mbështetje të instrumenteve të parë. Kështu me qëllim që të investoheshin likuiditetet e lira, nga ana e BSH-së janë përdorur depozita njëditore, niveli mesatar i së cilave gjatë periudhsë tremujore ka qënë 982 milionë lekë. Banka e Shqipërisë ka përdorur dhe kredinë njëditore me një vlerë mesatare prej 26 milionë lekësh në ditë, kjo pasi në ditë të veçanta ka pasur mungesë të likuiditetit. Për sa i përket tregut të parasë, ndërhyrja e BSH në tregun e brendshëm valutor ka qenë në nivelin zero. Ka qenë situata e qetë që ka karakterizuar tremujorin e parë në këtë drejtim, dhe BSH-ja nuk ka kryer veprime shitblerjeje në valutë me bankat e nivelit të dytë.
ECIKS / Shekulli