Presidenti i AMBO-s së shpejti në Vlorë

Tiranë, 14 shkurt 2004 – Presidenti i AMBO-s Ted Ferguson, së bashku me ekspertë nga Bullgaria dhe Maqedonia do të vizitojnë së shpejti qytetin e Vlorës, ku do të diskutojnë të gjitha detajet e projektit AMBO. Këtë gjë e ka bërë të ditur ministri i Industrisë dhe Energjetikës, Viktor Doda. “Grupi i ekspertëve së bashku me përfaqësuesin e AMBO-s Ferguson, pas datës 22 shkurt do të vijnë në Vlorë dhe të diskutojnë të gjitha detajet për të dalë me një plan të përbashkët veprimi dhe për t’i dhënë shtytje fillimit të këtij projekti të rëndësishëm”,- është shprehur Doda. Gjithashtu Doda ka bërë të ditur se në takim do të jenë të pranishëm edhe ekspertë shqiptarë. Me sa duket, drejtuesit e AMBO-s dhe të gjitha palët që kanë interesa në këtë projekt po mundohen që të përshpejtojnë sa më shumë fillimin e tij me qëllim që t’u japin fund thashethemeve që qarkullojnë kohët e fundit për një dështim të mundshëm të këtij naftësjellësi.

Debatet
Drejtuesit e AMBO-s si dhe zyrtarët shqiptar duket se janë shqetësuar shumë kohët e fundit pasi në ambiente të caktuara është diskutuar rreth mundësisë për dështimin e projektit 1,3 miliard dollarësh. Vlen të theksohet se kohët e fundit janë hedhur shumë hije dyshimi për këtë projekt shumë të rëndësishëm për Shqipërinë dhe rajonin e Ballkanit. Greqia, e cila nuk ka qenë asnjëherë dakord për ndërtimin e naftësjellësit të AMBO-s, shpreson në një dështim të tij me qëllim që të favorizohet alternativa e saj, projekti Burgas-Aleksandropulos. Vetëm para pak kohësh në një deklaratë ministri i Jashtëm grek Petros Moliviatis ishte shprehur se në rastin e AMBO-s nuk ka asgjë konkrete të ndërtuar. “Në rastin e AMBO-s është nënshkruar vetëm një memorandum mirëkuptimi, por ndërmjet nënshkrimit të një memorandumi dhe ndërtimit të projektit ka një distancë të madhe”,- është shprehur në këtë deklaratë Moliviatis. Duke patur parasysh edhe faktin se disa herë drejtues të lartë të shtetit bullgar në deklaratat e tyre kanë lënë të nënkuptohet se do të preferonin më shumë alternativën greke, është e nevojshme që të përshpejtohet fillimi i ndërtimit të AMBO-s.

Gazsjellësi
Pasi janë nënshkruar tashmë memorandumet për Linjën e Interkoneksionit Sofje-Shkup-Tiranë-Itali dhe AMBO-n pritet që të diskutohet edhe nënshkrimi i një tjetër projekti të rëndësishëm midis përfaqësuesve të Shqipërisë, Bullgarisë dhe Maqedonisë. Kështu, sipas Dodës, në takimin e datës 22 shkurt do të bisedohet edhe për gazësjellësin nga Kaspiku që do të kalojë në Bullgari-Maqedoni-Shqipëri-Itali, projekt i kompanisë zviceriane EGL. Ndërkohë që Maqedonia e ka dhënë pëlqimin e saj për ndërtimin e këtij gazësjellësi, pritet vetëm miratimi i palës bullgare. Burime nga Ministria e Industrisë dhe Energjetikës (MIE) bëjnë të ditur se në datën 4 mars pritet që të ketë një tjetër takim midis përfaqësuesve të tre vendeve ku mendohet se do të konkretizohet edhe nënshkrimi i memorandumit të këtij gazësjellësi shumë të rëndësishëm.

ECIKS / Biznesi