UNT shqyrton kërkesën e Kosovës për kodin e ri telefonik

Gjenevë, 16 shkurt 2005- Unioni Ndërkombëtar i Telekomunikacionit (UNT), agjenci kjo e Kombeve të Bashkuara, ka marrë një kërkesë zyrtare para tre javësh nga administratori i Kombeve të Bashkuara që Kosova të ketë kodin e vet telefonik. Kjo kërkesë do diskutohet në mbledhjen e grupit punues përkatës, që është përgjegjës për dhënien e kodeve telefonike dhe që fillon nesër. Ky grup punues do të shqyrtojë kërkesat teknike dhe ligjore që duhet të përmbushen për dhënien e një kodi të tillë, tha për radion “Evropa e lirë”, zëdhënësi i kësaj agjencie Geri Foli.

Sipas tij Grupi punues duhet të sigurojë se në rastin e dhënies së kodit ai do të vihet në punë në kohë e nuk do keqpërdoret dhe për këtë janë protokollet përkatëse për ndërkomunikimin. Zyra e Standardizimit brenda Unionit Ndërkomëbëtar të Telekomunikacionit e merr vendimin përfundimtar.

Duke shpjeguar kërkesat kryesore që Kosova duhet t’i plotësojë për të marrë kodin, zëdhënësi tha se ato janë ligjore dhe teknike. “Së pari duhet të ketë përfaqësim legjitim të njohur, dhe në këtë rast përfaqësuesi është administrimi i Kombeve të Bashkuara. Këta të fundit, për një mori arsyesh, kanë vlerësuar se ka ardhur koha që Kosova të ketë kodin e vet telefonik dhe të nisin procedurat. Vazhdimi i procesit do tregojë më shumë lidhur me çështje të tilla si sistemi i ndërvlerësimit dhe se Unioni duhet të sigurojë që në momentin që jepet ky kod ai do të funksionojë dhe do respektohet nga shtetet anëtare”, tha Fouli.
Ai shtoi se thuajse shumica e vendeve që kanë kodin janë vende të njohura ndërkombëtarisht.

ECIKS / QIK