Përfaqësues të doganave të Shqipërisë po vizitojnë Kosovën

Prishtinë, 14 gusht 2006 – Një delegacion i doganave të Shqipërisë i kryesuar nga Drejtori i përgjithshëm, Përparim Dervishi ka filluar sot vizitën dyditëshe në Kosovë. Fillimisht ata vizituan drejtorin e doganës së UNMIK-ut dhe biseduan për bashkëpunimin doganor dypalësh, luftën kundër krimit ndërkufitar dhe lehtësimin e qarkullimit tregtar, tha pas takimit drejtori i përgjithshëm i Doganave të UNMIK-ut, Pol Acda.
Bashkëpunimi në mes të doganave të rajonit është me rëndësi, tha drejtori i përgjithshëm i Doganave të UNMIK-ut, Pol Acda. Bashkëpunimi me Shqipërinë prej vitit në vit ka shënuar përparime por gjithmonë ka vend për përmirësime, tha ai. Një prej temave të cilave janë diskutuar ishte edhe shkëmbimi i informatave të inteligjencës e cila do të ndihmojë në luftën kundër kontrabandës.

“Është e pamundur të kontrollohet kufiri në tërësi. Kontrabandistët janë sikurse uji, gjithmonë e gjejnë vrimën për depërtim e vetmja mënyrë për të parandaluar kontrabandën përmes kufirit tokësor është ndërtimi i murit kinez apo ai i romakëve në Angli, por kjo nuk është zgjidhje e doganave moderne”.

“Shërbimet doganore në Kosovë dhe Shqipëri kanë sistemet kompjuterike për shkëmbim të informatave por krijimi i një sistemi të veçantë për lehtësimin e kalimeve kufitare do të inkurajojë bizneset”.

Bashkëpunimi në mes dy vendeve fqinje që flasin të njëjtën gjuhë është për të lehtësuar shërbimin doganor në të dy anët e kufirit, biznesin dhe lëvizjen e qytetarëve, tha drejtori i përgjithshëm i doganave të Shqipërisë, Përparim Dërvishi.

“Ne kemi një bashkëpunim shumë të mirë deri në momentin e tanishëm por hapësira për zhvillime të mëtejshme është e madhe dhe kërkesa e jonë është që niveli i shërbimit doganor të jetë cilësisht gjithnjë e më i lartë”.

Lufta kundër kontrabandës është me shumë aspekte dhe gjatë këtij takimi është diskutuar veçanërisht për shkëmbim të shpejtë të informacionit midis dy administratave doganore dhe personelit doganor. Modernizimi i shërbimit doganor është i pafundmë, andaj sistemet kompjuterike të cilat japin informacion në kohë reale do të parandalojnë kontrabandën dhe evazionin fiskal.

Radio Kosova / ECIKS