SHPK merr kompetencat e sigurisë në Aeroport

Prishtinë, 14 gusht 2006 – Stacioni policor në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës nga sot do të udhëhiqet nga Shërbimi Policor i Kosovës. Në ceremoninë e transferim të kompetencave nga policia e UNMIK-ut te ajo vendore, Ministri i Brendshëm, Fatmir Rexhepi tha se kjo është një ditë me rëndësi dhe e suksesshme për SHPK-në por edhe një obligim i madh që të jenë në shërbim të qytetarëve dhe të një kontrolli me përgjegjësi të lartë.

Nga sot e tutje uniformat blu të Shërbimit Policor të Kosovës kanë gjithë kompetencat dhe përgjegjësitë për të garantuar sigurinë dhe për të kryer kontrollin e hyrje-daljeve në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës. Stacioni policor në këtë Aeroport u pavarësua nga policia e UNMIK-ut. Ky është një sukses që ka treguar SHPK-ja gjatë punës së saj të deritashme thanë folësit në ceremoninë e organizuar me këtë rast. Ministri i Brendshëm, Fatmir Rexhepi tha se bartja e përgjegjësive të SHPK-ja është edhe një obligim i madh për ta, që në njërën anë të jenë në shërbim të të gjithë qytetarëve që e shfrytëzojnë Aeroportin dhe nga ana tjetër që të garantojnë një kontroll shumë të përgjegjshëm. Në këtë mënyrë duhet të ndalohet gjitha ajo që duhet ndaluar dhe të lejohen të qarkullojnë të lirë gjithë ata njerëz dhe mallra që duhet të hyjnë dhe dalin nga vendi ynë tha ministri Rexhepi.
“Nga ky vend dhe nga kjo pikë bashkërisht garantojmë fuqishëm se do ta luftojmë terrorizmin, do t’i luftojmë të gjitha ato dukuri negative, kontrabandën,….dhe gjithçka që është devijante dhe që e pengon procesin e zhvillimit demokratik të vendit dhe procesin e ndërtimit dhe zhvillimit të shoqërisë së Kosovës drejt synimit për integrime evropiane”.

Nga Zyra e komisionerit të policisë së UNMIK-ut, ka përshëndetur Jorg Ainmen, ndërsa gjeneral-majore, Atifete Jahjaga , asistente për policinë kufitare e zv/komesarit të SHPK-së, tha se profesionalizmi, mirësjellja, korrektësia dhe pedanteria në punë karakterizojnë pjesëtarët e SHPK-së.

“Zhvillimi në shoqëritë demokratike ka themelet në sundimin e rendit dhe të ligjit. Ne si SHPK jemi zotuar që do t’i ofrojmë këtë kusht shoqërisë kosovare”.

Stacioni policor në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës ka gjithsej 149 policë të cilët nga sot do të jenë nën komandën e kapiten Halim Shehut.

Radio Kosova / ECIKS