Për 40 vjet do të dyfishohet popullsia e Kosovës

Prishtinë, 30 mars 2004 – Nëse vazhdohet me këtë ritëm të natalitetit, pas dyzet vjetësh numri i banorëve të Kosovës do të shtohet 100 përqind. Hysni Thaçi, shefi Ekzekutiv i ESK tha se fertiliteti ka pësuar ulje të përafërt gjatë 15 viteve, nga 27 lindje të gjalla në periudhën 1988-1993, në 23 lindje gjatë periudhës së fundit. “Femrat rurale dëshirojnë numër më të madh të fëmijëve në krahasim me ato urbane”, tha Thaçi. Femrat lindin mesatarisht 3 fëmijë gjatë jetës së tyre dhe në përgjithësi femrat kosovare dëshirojnë të lindin më shumë meshkuj se sa femra shtoi ai. Shkalla e lindjeve të gjalla është 23 lindje në njëmijë njerëz, derisa sa i përket mortalitetit, të dhënat paraprake tregojnë se në një mijë banorë, gjatë periudhës njëvjeçare ndodhin rreth 5 vdekje. Shkalla e vdekjeve është kalkuluar direkt nga vdekjet e raportuara. Po sipas këtyre të dhënave jetëgjatësia mesatare e femrave gjatë dhjetë viteve të kaluara shtrihet prej moshës 67 deri në 71 vjet, derisa për meshkujt prej 63 deri në 67 vjet. Në Kosovë është vërejtur se ka më shumë femra se sa mashkuj të shkurorëzuar. Kjo është për arsye se femrat e ndara nuk duan të rimartohen. Sipas këtij raporti në Kosovë ka ndodhur migrim i brendshëm, ku pesë përqind e popullsisë i kanë ndërruar vendbanimet e tyre.

ECIKS / RTKLive