PRISHTINË, 03 Dhjetor 2003 – Koordinatori për mbështetje financiare të Evropës Lindore pranë Qeverisë Amerikane, Karlos Paskual, u takua dje me kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Nexhat Daci.
“Vizita ime këtu është që të marr këshilla se si do të mund të ndikojmë dhe të ndihmojmë njërin ndër proceset më të rëndësishme të Kosovës, atë të implementimit të plotë të përmbushjes së standardeve, të përcaktuara nga bashkësia ndërkombëtare”, ka pohuar Paskual.
Përsa i përket çështjes së shumëpërfolur të privatizimit, Paskual ka thënë se ky proces është ngadalësuar, sepse në këtë punë janë të gjithë të shqetësuar. Mirëpo, është në interesin e të gjithëve që këto prona të privatizohen dhe të ketë përfitime për të gjithë nga këto.
“Jemi duke i bërë disa hapa që kjo punë e nisur e privatizimit të fillojë me një shpejtësi që duhet ta ketë. Ekziston mundësia e krijimit të një pakoje të masave që mund të ndërmerren për të lëvizur procesin e privatizimit një hap përpara”, ka theksuar Paskual.
“Ky është njëri ndër prioritetet më të larta të zyrës Amerikane dhe kjo nuk është një çështje e cila mund të zgjidhet brenda vizitës”, ka vlerëuar koordinatori Paskual.
ECIKS / Kosovapress