Parlamenti shqiptar miraton paketën fiskale

Tiranë, 8 dhjetor 2004 – Parlamenti i Shqipërisë miratoi gjatë punimeve të fundit “Paketën Fiskale 2005”, duke lënë thuajse të pandryshuar strukturën e neneve të tij. Dje në orët e vona të mbrëmjes, pas debatesh të shumta, paketa e re mori dritën jeshile me 67 vota pro dhe 34 vota kundër. Pas numërimit nuk rezultoi asnjë votë abstenim. Pavarësisht nga konfliktet që Partia Demokratike ka pasur së fundmi me aleatët e saj, këta të fundit janë pozicionuar krahas PD-së, me votat e tyre kundër paketës së re. Gjithashtu edhe deputetët e Lëvizjes Socialiste për Integrim, kanë votuar kundër paketës së vitit të ardhshëm. Nga ana tjetër, votat e socialistëve dhe përkrahësve të tyre të spektrit të majtë, vendosën rezultatin përfundimtar. Ashtu siç pritej, ministri i Financave Arben Malaj, dhe ai i Ekonomisë Anastas Angjeli, para votimit, e cilësuan paketën e re fiskale si një arritje në drejtim të konsolidimit fiskal dhe rritjes ekonomike.

“Sot kjo paketë duhet të votohet, sepse është një siguri për ekuilibrat fiskale, është një mbështetje për sipërmarrjen e lirë dhe është një nxitje e mëtejshme për formalizimin e ekonomisë”, tha Malaj. Deklarata e ministrit të Financave është ndjekur nga ajo e sekretarit të përgjithshëm të PD-së Ridvan Bode, i cili e konsideroi “Paketën Fiskale 2005”, një dështim të qeverisë në drejtim të misionit të saj për integrim europian. Bode kritikoi abuzimet që synohen të bëhen nëpërmjet të ashtuquajturave reforma në paketën e re, duke theksuar se falë politikave që janë ndjekur dhe vazhdojnë të ndiqen nga qeveria, Shqipëria renditet e fundit në rajon për shumë tregues të rëndësishëm fiskalë.

Gjithashtu edhe deputeti i PDR-së Dashamir Shehi e kritikoi rëndë dokumentin e paraqitur për miratim, duke thënë se nëpërmjet kësaj pakete nuk duhet synuar të ndihmohet vetëm qeveria, por edhe interesat e biznesit dhe të qytetarëve. Ai gjithashtu nënvizoi se kjo paketë vuan nga të meta serioze, të cilat nuk janë marrë parasysh, të tilla si sigurimet shoqërore. Pas miratimit të “Paketës Fiskale 2005”, në Kuvend do të diskutohet për “Projketbuxhetin 2005” dhe pritet që të ketë kundërshtime të shumta nga deputetët e PD-së, PDR-së dhe LSI-së. Përsa i përket “Projektbuxhetit 2005”, pritet që paraditen e sotme të prezantohet në Kuvend dhe më pas të nisin diskutimet në komisionin parlamentar të Ekonomisë dhe Financave. Projektbuxheti do të votohet pas rreth dy javësh në Parlament.

ECIKS / Shekulli