Prishtinë, 8 dhjetor 2004 – Pavarësisht se rregullon një varg çështjesh ndërmjet punëdhënësve dhe të punësuarve, kontrata kolektive (KK) ende nuk është dokument përfundimtar. Sekretari i përgjitshëm i Odës, Basri Jupolli, tha se kjo kontratë do të harmonizohet dhe do t’i shtohen anekse vazhdimisht, në pajtim të plotë me ligjet në fuqi. Sipas Jupollit, minimumi i pagave, që do të jenë të obligueshme, ende nuk është përcaktuar:
“Nuk kemi mundur të dakordohemi rreth nivelit të këtij minimumi, por këtë çështje e kemi lënë autorizimin ta rregullojë Këshilli Trepartid në nivel të Kosovës, me një vendim të veçantë i cili do të merret në fund të çdo viti kalendarik në mbështetje të vlerësimit të ecurive makroekonomike dhe të tjera në Kosovë, dhe i cili vendim i KTS, pastaj do të behët aneks automatikisht i Kontratës së përgjithshme kolektive”.
Jupolli tha se vendimin për minimumin e pagave që do të zbatohen në Kosovë gjatë vitit të ardhshëm, do ta marrë Këshilli Trepalësh gjatë këtij muaji.
Në mbledhjen e kryesisë së shoqatës për tregti, hotelieri dhe turizëm dhe asaj për transport dhe komunikime, u diskutua edhe për zhvillimin ekonomik dhe mjedisin për biznes në Kosovë. Drejtori i shoqatës për tregti, hotelieri dhe turizëm, Fetah Reçica, tha se megjithë disa të arritura në tregti, hotelieri dhe infrastrukturë, ekonomia e Kosovës gjendet në nivel shumë të ultë zhvillimor. Ndërkaq theksoi se në avansimin e saj, do të ndikojë vetëm krijimi i një mjedisi të mirëfilltë për biznes.
“Duke filluar prej institucioneve, azhuritetit, ndërtimit të vetëdijes sa i përket qëndrimit ndaj biznesit, ridefinimit të politikave fiskale, doganore dhe atyre kreditore, investimeve vendore, sidomos atyre të jashtme, përpilimit të një strategjie për zhvillimin ekonomik, që do të kanalizonte çështjet zhvillimore ekonomike”.
Në mbledhjen e sotme të dy shoqatave të Odës Ekonomike me anëtarë të saj, u diskutua edhe për raportin e këtij viti si dhe programin e punës për vitin e ardhshëm.
ECIKS / Radio Kosova