OKB jep sinjalin për vazhdimin e privatizimit

Prishtinë, 15 qershor 2004 – Gjatë bisedimeve në selinë e Kombeve të Bashkuara në New York lidhur me privatizimin në Kosovë, Agjencia Kosovare e Mirëbesimit ka marrë sugjerimin që të vazhdojë këtë proces, duke hapur raundin e tretë, me disa ndryshime minimale, tha të hënën shefi i Shtyllës IV të UNMIK-ut, Nikolaus Lambsdorff. Rezultatet e bisedimeve në New York për çështjen e privatizimit në Kosovë, do të jenë në agjendën e takimit të anëtarëve të Bordit të AKM-së, që do të zhvillohet në selinë e shtyllës së katërt të UNMIK-ut njofton KosovaLive.

Shefi i Shtyllës IV të UNMIK-ut, Nikolaus Lambsdorff, që kryeson edhe Bordin e AKM-së i ka ftuar anëtarët e tjerë të Bordit për t’i njoftuar lidhur me qëndrimin e Këshillit të Sigurimit për procesin e privatizimit në Kosovë. Lambsdorffi u kthye të hënën nga vizita në New York dhe pritet të dalë me propozime konkrete lidhur me mënyrën e vazhdimit të procesit të privatizimit, i bllokuar nga vetë ai, nëntë muaj më parë.

Qeveria e Kosovës është në pritje të rezultateve të këtij takimi për të vendosur rreth pjesëmarrjes apo tërheqjes përfundimtare nga Bordi i Agjencisë Kosovare e Mirëbesimit. Fokusi i bisedimeve në New York, ishte baza ligjore për privatizimin. Në këto bisedime, përveç delegacionit të UNMIK-ut ishte edhe një përfaqësuesi i Komisionit Evropian.

Privatizimi, sipas ekspertëve kosovarë, konsiderohet “arteria” kryesore për zhvillimin ekonomik të vendit.

ECIKS / KosovaLive