Synohet eliminimi i bordit të BPK-së

Prishtinë, 15 qershor 2004 – Drejtori i përgjtihshëm i BPK-së, Donat Branzhe, i njohur në publik për aferën me swift-kodin e Serbisë, sipas burimeve të “Kohës ditore” në administratën ndërkombëtare është duke u përpjekur që ta ndërrojë rregulloren e BPK-së dhe përmes kësaj ta eliminojë bordin shtatanëtarësh të kësaj banke. Në emër të ngritjes së BPK-së në bankë qendrore ai synon që posti i kryetarit të bordit të BPK-së dhe drejtorit të përgjithshëm të drejtohen nga i njëjti person që në këtë rast është ai.

“Lëvizjet e fundit të Donat Brazhes, i cili në emër të ngritjes së BPK-së në bankë qendrore, po synon eliminimin e bordit të BPK-së nuk janë të sinqerta fare. Ky njeri provokoi prishjen e marrdhënieve mes Qeverisë dhe UNMIK-ut duke lidhur marrëveshje për përdorimin e swift-kodit të Serbisë, pa u konsultuar fare me Qeverinë e Kosovës. Është e pabesueshme që ky njeri të mundohet që ta ngrisë BPK-në në bankë qendrore”, tha burimi i “Kohës ditore”. Fjalët e tij, për mossinqeritetin e Donat Branzhes lidhur me veprimet e tij për ngritjen e BPK-së në bankë qendrore i pohojnë edhe shumica e menaxhmentit vendor të BPK-së. “Disa dhjetëra herë Donat Branzhe e ka cekur se Kosova nuk mund të ketë bankë qendrore, sepse nuk është shtet”, pohojnë pjesëtarë të menaxhmentit që nuk preferojnë të citohen zyrtarisht. Sipas tyre, Branzhe, në BPK, kryen veprime autoritare pa u konsultuar me askënd. “Disa herë ka pohuar që nuk e njeh as Qeverinë e Kosovës, as PSSP, parlamentin apo edhe vetë Fondin Monetar Ndërkombëtar. Por kur ia do puna që t’i shfrytëzojë këto institucione për interesa të veta, ai pohon se ka rekomandime prej FMN-së, si ishte rasti me swift-kodin e Serbisë, të cilin ai thoshte se e ka rekomandim”, kanë pohuar pjesëtarë të BPK-së. Një veprim të tillë ai e ka bërë edhe me Qeverinë e Kosovës. Një ditë para se në “Kohën ditore’ të publikohej lajmi për përdorimin e swift-kodit të Serbisë, ai ishtë takuar me kryeministrin Rexhepi dhe këshilltarin e tij, por atyre nuk iu kishte thënë as edhe një fjalë të vetme dhe Qeveria ishte ndier e habitur kur e ka parë lajmin në gazetë. “Nuk e di qëllimin e vizitës së tij. Ai u takua me kryeministrin dhe fare nuk e ka përmendur marrëveshjen për përdorimin e swift-kodit të Serbisë. Kemi bërë biseda për avancimin e BPK-së, për ta bërë transformimin e saj, etj. Aty është folur për format e organizimit dhe Branzhe e ka përmendur shpesh që janë produkt i FMN-së. Shprehimisht nuk është e thënë për ndonjë ndryshim të rregullores”, pohoi Bexhet Haliti, këshilltar i kryeministrit Rexhepi. Sipas tij, ndryshimi i rregullores nuk mund të bëhet vetëm më kokë të Branzhes. “Ato nuk mund të bëhen pa miratimin e Qeverisë. Pa kaluar nëpër institucione tona si Qeveria dhe Parlamenti”, theksoi këshilltari i kryeministrit. Duke u përgjigjur pyetjes se nëse beson që vërtetë Branzhe dëshiron ta bëjë BPK-në bankë qendrore ndërkohë që ai lidhi marrëveshje për përdorimin e svift kodit të Serbisë, ai u përgjigj se nuk mund të paragjykonte.

“Koha Ditore”, përmes zëdhënsit të BPK, Ismet Hajdari, është përpjekur që të marrë përgjigje nga Branzhe lidhur me qëllimet e tij për ndryshimin e regullores, por ato nuk kanë ardhur. Ndërsa drejtori i bordit të BPK, Ajri Begu, tha që kur ai ka propozuar që të ndryshohet regullorja e BPK dhe ajo të pasurohet më shumë në drejtim të ngritjes së saj në bankë qendrore është kundërshtuar nga Donat Branzhe. “ Jo unë nuk jam i njoftuar për ndonjë iniciativë të tillë, por mund të them se në mbledhjen e Bordit kur kemi shqyrtuar raportin vjetor të BPK kam potencuar faktin se regullorja e tanishme e BPK-së e vë atë në raport pasiv me ambientin e jashtëm, me ekonominë. Pra BPK-ja nuk mund të luajë rolin e një këshilluesi të Qeverisë për shkak se mungojnë instrumentet për ta bërë një gjë të tillë. Regullorja nuk na lejon për të pasur instrumente monetare që ne të kishim ndikim në punësimin, stabilitetin financiar, etj. Ideja ime ishte që të shohim mundësitë e pasurimit të BPK-së me këto funksione por se ajo është kundërshtuar nga Donat Branzhe me refrenin monoton, ju nuk keni shtet dhe nuk mund të keni bankë qendrore”, pohoi Ajri Begu, drejtor i Bordit të BPK-së. Ai ka pohuar që nuk duhen të lejohen praktika të tilla individuale që do të degradonin pozitën e vendorëve në BPK. “Ndryshimi i rregullores mund të jetë ndonjë tentim individual, megjithëse unë besoj se UNMIK-u dhe faktori vendor vendimmarrës nuk do të lejojë që të degradohet ajo që është arritur për pesë vjet për shkak të interesave të një personi. Në qoftë se nuk është e mundur të avancohet pozita e vendorëve, degradimi i tyre do të ishte një absurditet”,vijoi drejtori i Bordit të BPK-së, Ajri Begu.

Donat Branzhe nga ekspertë të ekonomisë së Kosovës është quajtur një Marie Fuçi e dytë. Me vendimin e tij për përdorimin e swift-kodit të Serbisë, ai provokoi shkatërrimin e sistemit bankar që është ngritur me shumë mund, pas luftës. Besimi në banka kishte humbur nga kosovarët pas palçkitjeve që i bënë serbët depozitave bankare të qytetarëve të Kosovës. Donat Branzhe gjithashtu pa tender i ka dhënë një kompanie ndërtimin e trezorit të BPK-së dhe sigurimin e saj një kompanie, sipas tij, amerikane. Shuma e parave që i është dhënë BPK-së nga buxheti i Kosovës për sigurimin e BPK-së është 1,2 milion euro dhe në këtë rast kur tenderat kalojnë shumën prej 500 mijë euro, duhet të merret nënshkrimi i kryeadministratorit apo i kryeministrit. Ai nuk e ka marrë asnjërin. Donat Branzh, të cilit mandati i kalon tani në muajin qershor pati theksuar se preferon të luajë në ekip, pavarësisht se vendimet e tij janë marrë në mënyrë arbitrare.

ECIKS / Koha Ditore