Qeveria kundër kontrollit të hapësirës ajrore nga Beogradi

Prishtinë, 14 qershor 2004 – Gjatë një takimi joformal të mbajtur në Portoroz të Sllovenisë ndërmjet përfaqësuesve të vendeve të rajonit, Eurocontroli-it dhe ICAO-s, përfaqësuesit e qeverisë së Kosovës dhe UNMIK-ut kanë kundërshtuar mundësinë e kontrollit të hapësirës ajrore të Kosovës nga Beogradi. Besim Beqaj, koordinator i Paktit të Stabilitetit për Kosovën, deklaroi se takimi kishte përfunduar pa rezultate për shkak se përfaqësuesit e Beogradit kishin kundërshtuar që kontrolli i hapësirës ajrore të Kosovës dhe Serbisë të bëhej nga Shkupi, ide me të cilën ishin pajtuar të tjerët dhe për të cilën Shkupi është zotuar se mund ta bëjë. Ai tha se kjo çështje ka mbetur të diskutohet në nivelet politike. “Takimi ishte zhvilluar pasi KFOR-i dhe NATO kanë deklaruar se hapësira e ajrore e Kosovës nuk ka më nevojë të kontrollohet nga forcat ushtrake, por duhet të kalojë në kontroll civil. Në këtë takim kanë marrë pjesë edhe përfaqësuesit e lartë të Bosnjës, Maqedonisë, Serbisë, por nuk ka pasur asnjë përfundim”, – deklaroi Beqaj. Sipas tij, Organizata Evropiane për Sigurinë e Fluturimeve Ajrore (Eurocontrol) dhe Organizata Ndërkombëtare e Aviacionit Civil (ICAO) po interesohen më shumë për shkak të Lojërave Olimpike që do të zhvillohen në Greqi këtë verë. Për sa i përket bashkëpunimit të parlamenteve të vendeve të rajonit, ai nënvizoi se Kosova është përfshirë shumë pak në këtë drejtim. Në konferencën e Portorozit është diskutuar edhe për luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Përfaqësuesit e Kosovës kanë shtruar nevojën e pjesëmarrjes më substanciale të SHPK-së në takime të tilla. Kosova tani është me status të vëzhguesit në Qendrën për Luftimin e Krimit të Organizuar në Bukuresht. “Ne kërkojmë që në takimet e ardhshme të jemi të përfaqësuar atje së bashku me policinë e UNMIK-ut”, – tha Beqaj. Pesë vjet më parë, pikërisht më 10 qershor, kur po shënohej fundi i luftës në Kosovë më 1999, në kuadër të një konference ndërkombëtare në Këln të Gjermanisë u themelua Pakti i Stabilitetit për Evropën Juglindore, që synon të krijojë bazat për rindërtimin politik dhe ekonomik të mbarë rajonit dhe funksionon me anë të tryezave. Kosova është aktive në Paktin e Stabilitetit që prej vitit 2001 dhe jep kontributin e saj përmes zyrës së Paktit të Stabilitetit që është e vendosur në zyrën e kryeministrit të Kosovës. Kjo zyrë është më shumë e angazhuar në Tryezën II punuese të Paktit të Stabilitetit që merret me bashkëpunimin ekonomik”.

ECIKS / Biznesi