Prishtinë, 15 gusht 2007 — Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) kërkoi të mërkurën nga Qeveria e Kosovës që t’i lirojë nga taksa doganore importuesit kosovarë të grurit. OEK-u e ka arsyetuar këtë me faktin se një vendim i tillë do të ndikonte në shmangien e monopolit dhe në tejkalimin e situatës së krijuar, pas shtrenjtimit të bukës dhe paralajmërimit për shtrenjtimin e qumështit. OEK-u, me anë të një komunikate për media, kërkoi edhe shuarjen e funksionimit të Këshillit Ekonomik Fiskal (KEF). ”KEF-i me punën dhe angazhimin e tij deri më tash në Kosovë ka prodhuar vetëm burokraci, nepotizëm dhe klanizim të ekonomisë kosovare. KEF-i ka ndikuar në rritjen e varfërisë ekstreme në Kosovë si dhe në problematikën dhe alarmimin rreth furnizimit me grurë dhe miell”, tha kryetari i OEK-ut, Besim Beqaj.
Akuza e OEK-ut ndaj KEF-it është shumë serioze kur kihet parasysh fakti se ky këshill përbëhet prej bartësve të institucioneve kryesore të vendit, duke përfshirë këtu si UNMIK-un, ashtu edhe Presidencën, Qeverinë dhe Kuvendin e Kosovës.
Beqaj vlerësoi se situata e krijuar dhe ngarkesa psikologjike rreth definimit të statusit të Kosovës, mungesa e vizionit të qartë për zhvillimin ekonomik të Kosovës, sinjalet e ndërmarrjeve të ndryshme kosovare që, për shkak të problemeve të tilla, do të bartin biznesin në vende tjera të rajonit, apo edhe t’i shuajnë ato, janë mesazhe negative që arrijnë edhe tek investitorët e huaj potencialë në Kosovë.
ECIKS / Gazeta Express