Prishtinë, 16 prill 2004 – Agjencia Kosovare e Mirëbesimit është përgjegjëse për privatizimin e 478 ndërmarrjeve shoqërore, të identifikuara për t’iu nënshtruar procesit të privatizimit në Kosovë, mirëpo ajo duke e bllokuar privatizimin dhe duke mos arritur t’i ringjallë këto ndërmarrje, është shndërruar vetë në një agjenci të paralizuar apo thuajse të vdekur. Kjo agjenci sot i ngjan një ndërmarrjeje shoqërore të cilën për çdo ditë e më shumë po e shkel koha. Ngjashëm si në ndërmarrjet shoqërore, edhe në AKM nuk ka fare “prodhim” të rezultateve dhe të efekteve të misionit që ka ky institucion. Me një fjalë, AKM-ja i plotëson kushtet që të futet në një proces “privatizimi”, përkatësisht të transformimeve të mëdha, të bartjes së përgjegjësive që ka dhe të ndërrimit të udhëheqjes së saj.
Në Odën Ekonomike të Kosovës, nënkryetari Mustafë Ibrahimi thekson se procesi i privatizimit tashmë ka hyrë në një rreth vicioz. “Nuk dihet nga është filli e nga fundi”, – thotë ai. Duke instaluar në zbatimin e ligjeve të aplikueshme edhe propozimin e krerëve të AKM-së për ngarkesën e blerësit të ri me borxhet e vjetra, sipas Ibrahimit, privatizimi praktikisht është paralizuar. Ky bllokim ai thotë se e ka rrënuar sigurinë juridike të Kosovës sepse zyrtarët e AKM-së po mohojnë dhe po i shkelin rregulloret që vetë i kanë miratuar. “Me kontestimin e fituesve të tenderave dhe zvarritjen për gjashtë muaj të nënshkrimit të kontratave për kalim të pronësisë të fituesit e tenderave, janë shkelur parimet e pacënueshmërisë së pronës private. Në Odën Ekonomike mendojnë se aktualisht ekonominë shoqërore e administron një grup i vogël i të punësuarve ndërkombëtarë dhe vendorë në AKM, të cilët nuk kanë kapacitet dhe as vullnet për të administruar as çerekun e ndërmarrjeve shoqërore e aq më pak ato publike”.
“UNMIK-u pareshtur deklarohet se privatizimi po ecën me ritme normale dhe nuk ngurron aspak t’i japë datat se kur do të shpallë tenderat e rinj, por gjerë më tani këto deklarata dhe premtime kanë dal të jenë boshe”. Sipas nënkryetarit të OEK-ut, nëse nuk ka vullnet UNMIK-u apo AKM-ja që ta vazhdojë procesin e privatizimit me ritme normale, atëherë le t’ia japë këtë përgjegjësi qeverisë së Kosovës, duke e kompletuar legjislacionin për privatizim edhe me ligjin mbi tokën për ndërmarrjet, të cilat do të futen në procedurën e likuiditetit.
Procedurat e reja
Ndër ekspertët e ekonomisë dhe ata të komunitetit kosovar të biznesit dominon mendimi se miratimi i ndryshimeve të politikave operacionale, të propozuara nga AKM-ja, është bllokim total i privatizimit, respektivisht se privatizimi duhet të vazhdojë me procedurat ekzistuese. Vlerësohet se ndërprerja e procesit të privatizimit u ka kushtuar dëme të mëdha ndërmarrjeve shoqërore, punëtorëve dhe ekonomisë në tërësi.
ECIKS / Biznesi