Prishtinë, 15 prill 2004 – Përfaqësuesit e qytetit të Durrësit promovuan sot në Prishtinë ofertën e tyre turistike për sezonin e sivjet shëm. Në këtë promovim zyrtarët e qarkut të Durrësit thanë se zona e tyre turistike është shumë atraktive për turistët e Kosovës, dhe sipas tyre kushtet e infrastrukturës janë përmirësuar dukshëm. Niveli i sigurisë për turistët do të jetë i lartë, thanë mysafirët nga Durrësi, duke shtuar se janë bërë të gjitha përgatitjet që pritja e pushuesve nga Kosova të jetë më e mirë se viteve të kaluara. Prefektja e Durrësit, Ingrid Shuli, tha se kosovarët tashmë i njohin bukuritë e plazhit të Durrësit si dhe mikpritjen e këtij qyteti. “Qeveria shqiptare ka vlerësuar turizmin si degë prioritare të ekonomisë dhe i kushton vemendje të posaçme”, tha zonja Shuli, duke shtuar se po zhvillohen politika të tilla zhvillimi që plotësojnë kërkesat e çdo turisti. Ajo tha se janë harmonizuar programet e disa ministrive, si për infrastrukturë, në ruajtjen e rendit, të shëndetit, mjedisit, sigurimin e lehtësisë së hyrjes së turistëve në Shqipëri nëpër pikat doganore etj. Ndërkaq kryetari Bashkisë së Durrësit Lefter Koka tha se zona turistike do të zgjerohet dhe do të bëhet rritja e cilsisë së shërbimeve publike, ngritja e kontrollit të ushqimit, përmirësimi i gjendjes me ujë të pijshëm etj. Drejtori i drejtorisë së policisë së qarkut të Durrësit Milto Korda përkujtoi se gjatë vitit të kaluar nuk është shënuar asnjë incident, duke premtuar se niveli i sigurisë edhe gjatë këtij viti do të jetë i lartë ngase janë marrë një sërë masash.
ECIKS / Balkanweb