Tiranë, 15 prill 2004 – Ministri Shqiptar i Industrisë dhe Energjitikës, Viktor Doda zhvilloi ditën e Mërkurë, një takim pune me perfaqësuesin e bankës gjermane KfW, Klaus Gihr. Qëllimi i takimit ishte përshpejtimi nga pala gjermane i ndërtimit të linjës 400 kV Elbasan-Podgoricë, vecanërisht me palën malazeze, me qëllim fillimin e ndërtimit të këtij objekti me rëndësi të veçantë, si një nga projektet e rëndësishme në realizimin e strategjisë së energjisë. Ministri Doda theksoi për median se “për linjën 400 kV Elbasan-Podgoricë, po kontribuojnë dy financues, qeveria italiane me 32 milionë euro dhe shteti gjerman. Të dy financimet kanë rëndësi të vecantë për këtë linjë, pasi bëjnë të mundur krijimin e lidhjes së rrjeteve elektrike si me rajonin, edhe me tregun rajonal të energjisë”. Përfaqësuesi i bankës gjermane KfW, Klaus Gihr, tha se “takimi bëhet në kuadër të zgjidhjes së problemeve teknike për ndërtimin e kësaj linje”. Banka gjermane KfW do të financojë 45 milionë euro për linjën Tiranë-Podgoricë. Vetëm për pjesën e linjës 400 kV nga kufiri shqiptar, deri në Podgoricë, vlera e investimit gjerman kap shumën 7 milionë Euro. Ndërsa për pjesën e linjës 400 kV Elbasan-Tiranë, po investon “Cooperazione Italiana”, me një fond prej 32 milionë Euro.
ECIKS / News 24