Numër rekord i turistëve kosovarë

KUKËS, 10 GUSHT – Arrijnë shifrat rekorde të kalimit të shtetasve nga Kosova për në Shqipëri për këtë vit, pikërisht natën e parmbrëmshme. Ndërkohë zyrtarët e policisë kufitare të Kukësit, thonë se pas ngjarjes së 29 korrikut, të ndodhur në afërsi të Podgoricës, ku autobusët e turistëve nga Kosova janë goditur me gurë nga një grup shtetasish malazez, fluksi i kalimit të turistëve nga Kosova për në Shqipëri ka njohur rritje të ndjeshme. Tefik Sulejmani, kryekontrollor në pikën doganore të Morinit në Kukës, ka bërë të ditur për “Kohën ditore”, se shifra rekorde e kalimit të shtetasve nga Kosova për në Shqipëri është regjistruar natën e së premtes. Sipas tij, gjatë kësaj nate, janë regjistruar të kenë kaluar nga Kosova për në Shqipëri përmes pikës doganore të Morinit 2.500 shtetas nga Kosova me 30 autobusë e 400 autovetura. Gjatë intervistimit, ka rezultuar që 1.700 shtetas nga Kosova po udhëtonin në Shqipëri për qëllime turistike, ndërsa 800 të tjerë po kalonin transit në Shqipëri për në vendet perëndimore ku ata banojnë dhe punojnë. Kryekontrollori i pikës doganore të Morinit, Tefik Sulejmani, ka shtuar se pas incidentit të ndodhur më 29 korrik në Podgoricë, numri i shtetasve që udhëtojnë në Shqipëri për qëllime turistike është shtuar së tepërmi. “Një natë pas incidentit të Podgoricës, pikërisht më 30 korrik është regjistruar shifra më e lartë e kalimit të autobusëve. Brenda një nate, ku pikën doganore të Morinit e kaluan 34 autobusë me pushues nga Kosova me destinacion bregdetin e Shqipërisë”, thotë Sulejmani. Më 29 korrik, rreth orës 03:00 të mëngjesit, persona të identifikuar nga policia malazeze kanë sulmuar karvanët me autobusë të Kosovës që ishin nisur për në Ulqin për pushime. Ndërkohë në Shqipëri këtë vit nuk është regjistruar ndonjë incident me udhëtarët nga Kosova që lëvizin në relacionet Durrës-Kukës-Morin e anasjelltas. Gatishmëria e policisë së Kukësit, Pukës e Mirditës e cila qëndron “non stop” përgjatë këtyre segmentëve rrugore, bashkë me shërbimet e specializuara të policive respektive, ka bërë që udhëtarëve nga Kosova t’u krijohet mundësia për të lëvizur në këto rrugë gjatë 24 orëve, ku nata është e preferuar për të udhëtuar nga ana e kosovarëve dhe këtë akses ua ka krijuar policia shqiptare. Të paktën deri tani, ku nuk është shënuar ndonjë incident.

ECIKS / Koha Ditore