Prishtinë, 4 tetor 2006 — Edhe pse 4 tetori ishte paraparë të jetë data kur do të dihet se i kujt do të jetë hoteli Grand një gjë e tillë nuk ka ndodhur. Deri në orët e vona të së mërkurës Oda e Veçantë e Gjykatës Supreme nuk ka vendosur nëse hoteli më i madh në Kosovë, Grand Hotel do t’i takojë konsorciumit Union Comerce apo Grand Grupit. Të mërkurën janë mbajtur së paku dy seanca të cilat kanë zgjatur disa orë. Seanca dëgjimore ka përfunduar rreth orës 23, ndërsa vendimi i Odës së veçantë nuk është marrë. “Jo, Oda e Veçantë nuk ka vendosur se kujt duhet t’i jepet Grandi. Ata do të lajmërojnë për vendimin e marrë, por nuk dihet se kur”, tha Zekë Çeku, përfaqësues i Grand Group.
Të dy konkurruesit, Zekë Çeku nga Grand Grup dhe Zylqyf Berisha nga Union Comerce nuk kanë mundur të japin për Express më shumë informata, për shkak të mospërfundimit të gjykimit për rastin Grand. Secili nga ta vazhdimisht kanë deklaruar se nëse ka drejtësi ata do ta fitojnë Grandin.
Ndryshe të dy ata kanë paralajmëruar vazhdimin e ankesave në instanca ndërkombëtare nëse ata nuk do të jenë fitues.
Tani dhënia apo jo e hotelit Grand njërit apo tjetrit konkurrues për të do varet nga paraqitja e fakteve në Odën e Veçantë të Gjykatës Supreme, i cili vendim duket se do të merret pas një maratone të gjatë.
Lënda kishte përfunduar në gjykatë pas vendimit të bordit të AKM se ky hotel do të jetë
pronë e konsorciumit Union Comerce, pretendenti tjetër Grand Grup i prirë nga Zekë Çeku, është ankuar në Odën e Veçantë të Gjykatës Supreme për parregullsi.
Hoteli Grand ishte futur në privatizim në valën 8b të privatizimit qysh vitin e kaluar. Pas tërheqjes së fituesit të parë grupit Makos, bordi e kishte shpallur fitues të dytin në tender, konsorciumin Unio Comerce.
Me vendimin e gjykatës edhe pse kontrata ishte nënshkruar nga ish shefi i Shtyllës IV Johachim Ruceker, ishte pezulluar shitja e Grandit koncorsiumit Union Comerce, i cili kishte paguar fiks 8.1 milionë euro në emër të blerjes së Grandit.
Gazeta Express