Prishtinë, 6 tetor 2006 – Financuesi më i madh në sektorin e mbeturinave në Kosovë, Bashkimi Evropian (BE), përmes Agjencisë Evropiane për Rindërtim (AER), do të shpenzojë në katër vitet e ardhshme edhe 15 deri në 20 milionë euro për përmirësimin e trajtimit dhe zgjerimit të rrjetit të grumbullimit të mbeturinave në Kosovë. Bashkimi Evropian, nëpërmes AER-it, në shtatë vitet e fundit ka financuar afro 30 milionë euro në projekte të ndryshme, përfshirë ndërtimin e deponive të reja me pajisje përcjellëse, kamionë për grumbullimin e mbeturinave, kontejnerë, etj.
Alan Brown, përfaqësues i AER-it, tha se sektori i mbeturinave në Kosovë ka qenë shumë i pazhvilluar, prandaj nëpërmes këtij projekti synohet që të mbështeten ndërmarrjet komunale në rajonet e Prishtinës, Prizrenit, Pejës, Mitrovicës, Gjakovës, Ferizajt dhe Gjilanit, në mënyrë që ato t’i përmirësojnë shërbimet e tyre.
Të shtatë kompanitë rajonale për grumbullimin dhe trajtimin e mbeturinave kanë prezantuar të enjten planet e tyre për këtë lëmi, në të cilën BE-ja do të shpenzojë miliona euro në katër vitet e ardhshme – 2006-2010.
Ndërsa Jean Tilly nga kompania këshilluese EPTISA, tha se aspekti kryesor i këtij investimi do të jetë zgjerimi i shërbimeve për grumbullimin e mbeturinave nga 40 për qind sa është përqindja aktualisht, në vitin 2010 të rritet në 80 për qind.
“Synimi ynë është që të arrihet në 100 për qind, por kjo nuk mund të bëhet deri në vitin 2010, për shkak të infrastrukturës rrugore e cila nuk është në gjendje të mirë”, tha ai.